Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, tha se SHBA-ja dhe Irani janë më pranë një marrëveshjeje bërthamore se kurrë në vitet e fundit, por theksoi se ajo ende nuk është përfundimtare dhe se disa çështje kryesore mbeten të hapura.
Duke folur në një bisedë informuese me gazetarët, zyrtarë të lartë amerikanë thanë se negociatat me Iranin janë rreth “90-95%” të përfunduara dhe se marrëveshja e re pritet të jetë ndryshe nga ajo e arritur gjatë kohës së presidentit Barack Obama, nga e cila Trump u tërhoq gjatë mandatit të tij të parë.
“Ajo nuk është negociuar ende plotësisht. Prandaj, mos i dëgjoni humbësit, që kritikojnë diçka për të cilën nuk dinë asgjë”, shkroi Trump në platformën Truth Social.
“Ndryshe nga ata para meje, që do të duhej ta kishin zgjidhur këtë problem shumë vite më parë, unë nuk bëj marrëveshje të këqija”, shtoi ai.
Zyrtarët e administratës theksuan vazhdimisht se nuk do të ketë një marrëveshje të menjëhershme, pavarësisht përparimit të dukshëm në bisedime gjatë fundjavës.
“Nuk kemi arritur ende aty”, tha një zyrtar i lartë më 24 maj. “Nuk do të nënshkruajmë marrëveshje sot apo nesër”, theksoi ai./REL.
The post Marrëveshja SHBA-Iran “95% e përfunduar”, por jo gati për nënshkrim appeared first on Alsat.
