Novomatik Maqedoni mbetet sponsori gjeneral i KF Vardarit në sezonin e ardhshëm të futbollit, me një marrëveshje financiare vjetore prej 1 milion eurosh, përcjell TV21. Petar Pençev, përfaqësues i kësaj kompanie tha se “Vardari”  është ambasador i suksesshëm i Maqedonisë, andaj do të vazhdojë edhe bashkëpunimi. Ndërsa Goran Zakariq kapiten i FK “Vardari” shprehu falënderime ndaj “Novomatik Maqedoni” pasi i kanë mbështetur për të fituar besimin e tifozëve.

“Sot shpallim sponsorizimin gjeneral të “Novomatik Maqedoni” dhe Klubit të Futbollit Vardar, duke e zgjatur atë për një sezon tjetër futbolli. Vazhdimi i partneritetit të suksesshëm me krenarinë kombëtare të futbollit “Vardar”  është një tjetër konfirmim i qëllimeve të sinqerta të “Novomatik Maqedoni””, tha Marija Zazdovska, përfaqësuese e NOVOMATIK.

“Në sezonin e ardhshëm të futbollit, “Novomatik Maqedoni” dhe KF “Vardari” vazhdojnë partneritetin e tyre të suksesshëm me një mbështetje financiare vjetore shtesë prej 1 milion eurosh. KF “Vardari” nuk është vetëm një klub sportiv, por një simbol i identitetit maqedonas dhe një ambasador i suksesshëm maqedonas”, u shpreh Petar Pençev, përfaqësues i NOVOMATIK.

“Besimi i “Novomatik Maqedoni” në projektin tonë kontribuoi në fitimin e titullit të 12-të kampion të futbollit në kampionatin kombëtar të Maqedonisë”, pohoi Goran Zakariq, kapiten i KF “Vardari”.