Ish-kampioni i Interit dhe i kombëtares gjermane, Lothar Matthäus, ka ndarë opinionin e tij në “Sky Sport Germany” lidhur me ndeshjen e barazuar nga ekipi i Julian Nagelsmann kundër Italisë, të dielën mbrëma.
Sipas Matthäus, duhet vlerësuar fakti se “Gjermania e vuri kundërshtarin nën presion dhe nuk i lejoi asgjë në pjesën e parë”, aq sa për ish-fituesin e “Topit të Artë”, “këto ishin 45 minutat më të mira të periudhës së Nagelsmann-it, deri tani”. Duke analizuar Italinë, ai shtoi: “Pas golit të parë, Italia ishte krejtësisht jashtë loje. Gjermania e shfrytëzoi këtë pasiguri”.
Duke folur për gabimet e Italisë, Matthäus theksoi se rasti më flagrant ishte pësimi i golit të dytë: “Këndorja e Kimmich që solli golin e dytë të Jamal Musiala, kur italianët ishin plotësisht në gjumë. Diçka e tillë nuk duhet të ndodhë as në një skuadër shkolle”.
Ai e quajti golin më të çuditshëm të ndeshjes 2-0, por lavdëroi mënyrën si Gjermania ndërtoi aksionet për golat e parë dhe të tretë: “Rimarrje e shpejtë e topit, përparimi me shpejtësi maksimale, lëvizje të mira dhe mbulim i fortë i zonës së rreptësisë”.
Sipas Matthäus, pas pushimit, gjermanët humbën kontrollin e ndeshjes, sepse “ishin më pak të kujdesshëm dhe nuk kishin më të njëjtën vendosmëri, kompaktësi e intensitet si në 45 minutat e para”. Kjo ndodhi edhe pse në fushë ishin lojtarë me përvojë si Kimmich, Jonathan Tah dhe Antonio Rüdiger, por ritmi ndryshoi papritur.
Në fund, ai pranoi se situata mund të kishte qenë edhe më e vështirë për Gjermaninë: “Nëse penalltia e parë nuk do të ishte anuluar dhe Italia do të kishte shënuar për 3-3, faza përfundimtare e ndeshjes do të ishte edhe më e luftuar”.
The post Matthäus kritikon Italinë: Ishte në gjumë te goli i dytë, as në ekipe shkolle nuk duhet të ndodhë appeared first on Telesport.
