Sa entuziazëm krijonte tridenti magjik Mbappé-Messi-Neymar te PSG? Askush më mirë se njëri prej tyre nuk mund ta rrëfejë këtë përvojë. Në këtë rast, Kylian Mbappé, në një intervistë për emisionin “Clique” të “Canal+”, ka treguar gjithë euforinë që kjo treshe krijoi, jo vetëm në Paris, por në të gjithë Francën: “Ne bashkuam lojtarë që zakonisht bashkohen vetëm në ‘PlayStation’”.

Në disa pjesë ekskluzive të intervistës, sulmuesi aktual i Real Madridit, edhe pse nuk arriti ta fitonte Champions League me parizienët, beson se ka lënë gjurmë të thella në atë klub: “Sot ka shumë fëmijë që e kanë PSG-në në gjak”.

Mbappé shpjegoi se si PSG ka fituar një status të ri në futbollin botëror: “Në kohën time, në epokën Messi-Ronaldo, ose ishe me Real Madridin, ose me Barcelonën. PSG ishte diçka që iu përkiste vetëm parizienëve, vetëm ata të thonin ‘Forca PSG’.

Të gjithë shikonim ‘El Clásico’, të gjithë prisnim përballjen Ronaldo-Messi dhe duhej të zgjidhje njërën anë. Sot, Reali dhe Barça janë ende ato që janë dhe këtë nuk mund t’ua mohojë askush, por PSG është PSG i Messit, i Neymarit, i Mbappés, i të gjithëve që kanë luajtur atje”.

KM9 nuk mund ta harrojë emocionin në sytë e fëmijëve dhe tifozëve, kur shihnin atë treshe të mrekullueshme: “I bëmë fëmijët të ëndërrojnë. E shihje ‘Parc des Princes’ plot e përplot. Ishim ‘rockstar’ në Francë. Shkonim në qytete të vogla dhe mbushnim çdo stadium.

Do të kishim dashur ta fitonim Championsin, por nuk ia dolëm. I shkuam afër, luajtëm një finale, një gjysmëfinale, pastaj vitin pasues sërish një gjysmëfinale. Gjithsesi, mendoj se njerëzit i kemi bërë të ëndërrojnë”.

The post Mbappé dhe “tridenti” me Messin e Neymar: Ishim “rockstar” në Francë, i bëmë njerëzit të ëndërrojnë appeared first on Telesport.