Gjatë periudhës janar–shtator 2026, në territorin e vendit janë regjistruar gjithsej 1.337 vepra penale që ndërlidhen me dhunën në familje, për të cilat janë denoncuar 1.388 kryerës, prej tyre 1.278 burra dhe 110 gra. Në këto raste janë evidentuar 1.433 viktima, nga të cilat 1.144 gra dhe 289 burra.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, gjatë së njëjtës periudhë janë regjistruar edhe 191 kundërvajtje të ndërlidhura me dhunën në familje. Për këto raste janë denoncuar 228 kryerës, përkatësisht 196 burra dhe 32 gra, si dhe 221 viktima, prej tyre 126 burra dhe 95 gra.

Ndërkohë, gjatë nëntë muajve të parë të vitit janë evidentuar gjithsej 3.869 ankesa për dhunë në familje. Në lidhje me këto ankesa janë denoncuar 3.971 kryerës, prej të cilëve 3.090 burra dhe 881 gra. Numri i viktimave të raportuara arrin në 3.961, ku 2.567 janë gra dhe 1.394 burra.

Ministria e Punëve të Brendshme u bën thirrje qytetarëve që të mos heshtin dhe të mos e fshehin dhunën në familje, por të raportojnë me kohë çdo rast të tillë.

Çdo person që është viktimë e dhunës në familje, si dhe kushdo që ka njohuri për raste të tilla, mund t’i raportojë ato në stacionin më të afërt policor ose përmes numrave emergjentë 112 dhe 19.