Mbi 400 qytetarë të Maqedonisë kërkojnë ndihmë nga përfaqësitë diplomatiko-konsullore me kërkesë për informacione për evakuimin e tyre, ndërsa rreth 30 prej tyre janë të gatshëm që menjëherë të largohen pas veprimeve ushtarake në Lindjen e Mesme. Nga MPJ thonë se me të gjithë personat e paraqitur mbahet komunikim i vazhdueshëm dhe, varësisht nga gjendja, shqyrtohet mundësia për evakuim.

“Përfaqësitë diplomatiko-konsullore i ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për përgatitje dhe realizim të sigurt të evakuimit të qytetarëve që kanë shprehur gatishmëri për këtë. Ministria është në komunikim të vazhdueshëm me vendet mike dhe partnerët ndërkombëtarë me qëllim zbatimin e koordinuar të procedurës. Në lidhje me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe shtetin e Katarit, për momentin nuk ekzistojnë kushte të sigurta për evakuim. Për shtetasit maqedonas që ndodhen në Izrael, tashmë në mënyrë aktive po shqyrtohen dhe koordinohen alternativa të mundshme për nxjerrjen e tyre të sigurt”, thotë MPJ.

Pavarësisht seriozitetit të veprimeve ushtarake, në vend nuk priten cenime të sigurisë, vlerësojnë ekspertët. Profesori Nikolla Dujovski nga Fakulteti i Sigurisë thekson se përveç çmimit të naftës dhe problemeve të mundshme me migrantët, Maqedonia nuk përballet me ndonjë kërcënim.

“Gjendja e sigurisë tek ne është stabile, ne nuk jemi pjesë e këtyre problemeve, ajo që do të ndodhë me gjasë do të ndiqet, çmimi i naftës ndoshta do të jetë më së shumti ajo që do të na godasë, tjetër në këtë fazë jo. Përveç nëse nis ndonjë valë e madhe migratore më tej, por tani për tani asgjë e veçantë”, deklaroi Nikolla Dujovski.

Vonë mbrëmë në kabinetin e presidentes Gordana Siljanovska-Davkova u mbajt edhe Këshilli i Sigurisë, në të cilin u diskutua për gjendjen e sigurisë në vend. Ajo tha se Maqedonia nuk përballet me ndonjë rrezik, por se vazhdimisht ndiqet zhvillimi i situatës me veprimet ushtarake në Lindjen e Mesme.

“Gjendja mund të vlerësohet si stabile dhe e sigurt. Pra, ne aktualisht nuk jemi të ekspozuar ndaj paqëndrueshmërisë, as nuk ka rreziqe për sigurinë brenda dhe në rajon. Më e rëndësishmja është se sistemi i paralajmërimit të hershëm tashmë ekziston për shkak të koordinimit mes të gjitha organeve kompetente”, deklaroi Gordana Siljanovska-Davkova.

Pasi dje LSDM dha mbështetje të plotë për SHBA-në dhe Izraelin, me qëndrimin e tyre dolën edhe nga BDI dhe VLEN. Nga atje thonë se SHBA-ja e dëshmon rolin e saj si garantues i stabilitetit dhe sigurisë globale.