Gazetare: Melihate Rustemi
Partnerët e koalicionit arritën pajtueshmëri për tekstin e ri të ligjit për arsimin e lartë. Ministrja, Vesna Janevska tha se janë shqyrtuar gjashtë pika kryesore dhe se ligji tashmë është mbyllur për diskutim dhe nesër do të dorëzohet në procedurë qeveritare. Sipas Janevskës, zgjidhje është gjetur për çështjen e fundit, përdorimin e indeksit të Hirshit. Ky indeks, nuk do të jetë më kriter bazë për përzgjedhje dhe avancim akademik, por vetëm një element shtesë. Ai do të përdoret si faktor vendimtar vetëm në rastet kur kandidatët kanë pikë të barabarta.
“Pika e fundit për të cilën diskutuam ishte Indeksi i Hirshit, për të cilin gjithashtu gjetëm zgjidhje, ai të mos jetë element bazë si kriter për zgjedhje, por të hyjë në elementet shtesë në kriterin për zgjedhje. Në atë rast, kur dy profesorë do të kenë pikë identike, vendimtar do të jetë Indeksi i Hirshit. Kjo tani është pranuar”, tha Vesna Janevska, ministre e Arsimit dhe Shkencës.
Për VLEN-in ky është një hap i rëndësishëm drejt reformimit të sistemit universitar. Sipas tyre, ndryshimet synojnë krijimin e një sistemi më të drejtë, cilësor dhe gjithëpërfshirës, duke theksuar se heqja e h-indeksit si kriter bazë përzgjedhjeje sjell një vlerësim më të balancuar dhe meritokratik.
“VLEN siguron se asnjë i punësuar në universitete nuk do të humbasë vendin e punës si rezultat i reformave, ndërsa paralajmëron mekanizma të rinj që do të nxisin zhvillimin profesional dhe avancimin akademik. Universitetet do të përfitojnë më shumë autonomi dhe hapësirë për zhvillim cilësor”.
Sipas VLEN, në fokus të reformës mbetet edhe përfshirja e universiteteve në gjuhën shqipe, të cilat do të jenë pjesë e barabartë dhe konkurruese në sistem. Si shembull konkret, VLEN përmend edhe investimin prej rreth 40 milionë eurosh për kampusin “Nënë Tereza”. Reformat e propozuara synojnë të vendosin bazat për një sistem më të drejtë të arsimit të lartë dhe pritet të nisin zbatimin pas miratimit në qeveri.
The post Mbyllen diskutimet për Ligjin për Arsimin e Lartë – Indeksi h nuk do të jetë më kriter bazë për avancim appeared first on Alsat.
