Shfaqja “Ata nuk janë më”, me autore Doruntina Basha dhe regji të Andrej Nosovit, është shpallur shfaqja më e mirë e edicionit të 20-të jubilar të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit Skupifestival, që u mbajt nga 10 deri më 17 tetor në Shkup.
Çmimi “Luran Ahmeti” iu nda aktores Mirjana Karanoviq, për interpretimin e saj në rolin e Sadikës në shfaqjen fituese.
Çmim special për aktrim morën Shkëlqim Islami, Katerina Kisten, Kato Kalatozishvili, Maria Saloma, Ellen Jelinek dhe Johanes Vanselov, për interpretimet në shfaqjen “Unrecognized”, me autorë Jeton Neziraj dhe Davit Gabunia, në regji të Data Tavadze.
Çmim special mori edhe aktori Bujar Ahmeti, për interpretimin e rolit të Lekës në shfaqjen “Gërrdia”, me autor dhe regjisor Astrit Kabashi, produksion i Teatrit Kombëtar të Kosovës.
Në edicionin jubilar, Skupifestival prezantoi tetë produksione teatrore nga rajoni dhe Evropa.
