Gazetar: Zekirija Haxhiu

Gjithsej 13 qytetarë kanë filluar procedurën për kandidaturë të pavarur për kryetar komune në të gjithë territorin e vendit. 12 prej tyre i kanë plotësuar kushtet ndërsa në mbledhje e sipër të firmave është vetëm kandidati në Kumanovë, edhe pse nevojiten vetëm dy nënshkrime. Këto janë të dhënat e fundit që siguroi Alsat nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor.

“Deri një ditë më parë, procedurën për mbledhje të nënshkrimeve për kryetarë komunash e kanë filluar gjithsej 13 kandidatë dhe atë nga një kandidat në Makedonska Kamenicë, Kumanovë, Ohër, Debërc, Dibër, Demir Kapi, Makedonski Brod, Koçan, Manastir, Mogillë, Novac, Demir Hisar dhe një kandidat në Qytetin e Shkupit. Të gjithë kandidatët e kanë konfirmuar kandidaturën e tyre përpos në Kumanovë ku procedura për mbledhjen e dy nënshkrimeve ende vijon”, thonë nga KSHZ.

Ndërkohë për këshilltarë komunal për momentin interesi është më i ulët. Kandidatura janë dorëzuar në Dibër, Koçan, Çeshinovo Obleshevë, Manastir dhe Mogillë. Në Manastir ende vijon mbledhja e nënshkrimeve, te të tjerat ka përfunduar. Sipas të dhënave të KSHZ-së, për momentin ende nuk vërehet se po bëhen keqpërdorime, respektivisht se ka kandidime sa për të mbushur listat. Ministri i Vetëqeverisjes lokale, Zllatko Perinski, nuk pret që kjo të shkaktojë turbulenca në kuadër të procesit zgjedhor ndërsa akuzon opozitën se për shkak inateve politike, nuk lejuan që çështja e kandidaturave të pavarura të rregullohet.

“Përsëri kjo është për shkak inateve politike të opozitës. Unë nuk pres se do të kemi probleme më të mëdha në kuadër të zbatimit të zgjedhjeve. Ndoshta mund të shohim më tepër dekor dhe folklor politik se sa që jemi mësuar por nuk shoh se në thelb, zgjedhjet lokale mund të ndikohen nga mosmiratimi i ndryshimeve të Kodit Zgjedhor”, tha Zllatko Perinski – Ministër i Vetëqeverisjes Lokale.

KSHZ së fundmi vendosi që çdo qytetar me vetëm dy nënshkrime mund të dorëzojë kandidaturë të pavarur qoftë për kryetar komune, qoftë për këshilltar komunal. KSHZ e pati patjetër të mundësojë një gjë të tillë në bazë të Kodit Zgjedhor, derisa Kuvendi nuk rregulloi dy nenet e shfuqizuara nga Gjykata Kushtetuese, e të cilat parashihnin mbledhjen e së paku 1% të nënshkrimeve nga numri i përgjithshëm i banorëve në komunën ku garon./ Alsat.mk

The post Mbyllja e afateve/ 12 kandidatë të pavarur kanë arritur të mbledhin 2 firmat e nevojshme për konfirmimin e kandidaturës appeared first on Alsat.