Kuvendi ka miratuar Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për marrjen dhe transplantimin e pjesëve të trupit të njeriut me qëllim mjekimi.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, ndryshimet e reja sjellin reforma të rëndësishme që kanë për qëllim rritjen e transparencës, besimit dhe numrit të dhuruesve të organeve në vend.
Një nga novacionet kryesore është mundësia që çdo qytetar madhor të japë një deklaratë personale te mjeku i tij amë nëse dëshiron të jetë dhurues organesh pas vdekjes.
Deklarimi do të realizohet edhe përmes sistemit digjital në “Termini Im”, me verifikim të dyfishtë, ndërsa qytetarët do të mund ta ndryshojnë ose ta tërheqin vendimin e tyre në çdo kohë.
Ministria thekson se me këtë mundësohet një pasqyrë më e qartë e qëndrimeve të qytetarëve dhe shtohet besimi në sistemin e transplantimit.
Ligji parasheh gjithashtu zgjerimin e rrethit të dhuruesve të gjallë deri në shkallën e katërt të farefisnisë, ku çdo rast do t’i nënshtrohet vlerësimit nga Komisioni Etik me qëllim që të parandalohen keqpërdorimet dhe tregtia me organe.
Ministria e Shëndetësisë paralajmëron edhe vazhdimin e fushatës kombëtare për ngritjen e vetëdijes për dhurimin e organeve, duke përfshirë mjekët amë, institucionet arsimore, shoqatat e pacientëve dhe bashkësitë fetare.
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, deklaroi se transplantimi përfaqëson “jetë, shpresë dhe mundësi që një njeri të vazhdojë të jetojë përmes jetës së dikujt tjetër”, duke shtuar se ai personalisht do të jetë i pari që do të regjistrohet si dhurues organesh.
