Pas kritikave për ndërhyrje në politikën ditore në Maqedoninë e Veriut, përmes një shkrimi në Facebook ka reaguar ambasadori i Shqipërisë, Denion Meidani, shkruan TV21. Ai mes tjerash thotë se nuk është pjesë e politikës ditore, por e asaj shtetërore.

“Ne nuk bëjmë politikë ditore, por shtetërore. Biem dakord vetëm kur jemi në të njëjtën linjë për garantimin e të drejtave, respektimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe për të ecur krah për krah drejt Evropës”, ka shkruar Mediani.

Kritika ndaj Meidani në emisionin Click Plus në TV21 kishte kreu i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, i cili tha se në takime i ka sugjeruar ambasadorit që mos të përfshihet në debatet politike në Maqedoninë e Veriut.

“Pranoj që kam pasur kritika brenda VLEN-it për takimin, duke e lexuar ashtu siç e lexoni ju, por unë nuk mund të refuzojë takim me ambasadorin e një shteti, në këtë rast më së paku të Shqipërisë, pa marrë parasysh rolin që në momente të caktuara ai po mundohet ta marrë në skenën politike, të cilën ia kam thënë edhe në takim edhe në shumë raste, se ai duhet të përfaqësojë shtetin shqiptar dhe të mbrojë të drejtat e shqiptarëve konform Kushtetutës dhe të mos futet në këto debate politike-partiake këtu te ne”, tha Kasami.

Tutje, Kasami tha se Meidani i ka përcjellë kërkesë për takim me Ali Ahmetin, që sipas kreut të Lëvizjes Besa, nuk duhet të vijë nga një ambasador.

“E kemi biseduar edhe në takim se ka përcjell kërkesën e mundshme të z.Ahmeti për takim, që ndoshta unë nuk e vlerësoj se ndoshta do të ishte kërkesë që duhet të vijë nga një ambasador, por sidoqoftë, kjo që e thoni ju është shqetësim i një pjese të madhe të strukturës së VLEN-it se ambasadori edhe me takimin atë ditë fillimisht me ministrin e Shëndetësisë, pastaj me mua dhe më në fund me z.Ahmeti, kur më herët z.Taravari akuzoi se një ndër ata që kanë biseduar me z.Ahmeti për të qenë pjesë e projekti të BDI-së, ka qenë edhe z.Azir Aliu, pra po duket se, apo po lexohet nga disa që ambasadori në momente të caktuara po rrëshqet në drejtim të një ideje partiake apo politike që nuk do të duhej të jetë”, shtoi Kasami.

Në një paraqitje gjatë ditës së sotme, pas takimit që kishte sot me Meidanin, reagoi edhe Izet Mexhiti, i cili tha se “E duam Shqipërinë edhe kur qeveria e Shqipërisë është në nivelin e politikës ditore dhe mban anë, mban anën e tjetrit, ne prapë e duam Shqipërinë”.