Kontrata e prishur me kompaninë boshnjake Energoinvest për ndërtimin e linjës 400 kilovoltëshe Manastir-Elbasan përfundon në arbitrazh. MEPSO para dy ditësh ka ankimuar vendimin e trupit para-arbitrazh për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, i cili vendosi se prishja e kontratës për lidhjen energjetike me Shqipërinë ishte e pajustifikuar dhe se Energoinvest ka të drejtë të kërkojë dëmshpërblim prej 6 milionë eurosh. Nga MEPSO thonë se para ankesës kanë bërë konsultime dhe janë të bindur se Gjykata e Arbitrazhit në Paris do të vendosë në favor të tyre.

“Ne jemi të bindur fort se ky proces do të përfundojë në interes të MEPSO-s dhe shtetit. Kemi kërkuar mendim nga dy zyra avokatie të njohura, të cilat janë shprehur se vendimi i Bordit për mosmarrëveshje është i njëanshëm, joprofesional dhe i pajustifikuar”, thonë nga SH.A MEPSO.

Në brifingun me gazetarët u cituan edhe deklarata nga ish-drejtorët e MEPSO-s, të cilët ishin pjesë e emisionit të parë të “Biznes 21”, ku u raportua për 50 milionë euro të shpenzuara për lidhjen energjetike me Shqipërinë. Hulumtimi i nëntorit 2024 nga terreni zbuloi se është bllokuar një pjesë e projektit – linja Manastir 2 – Elbasan, e cila duhej të ndërtohej nga kompania Energoinvest nga Sarajeva, pas së cilës u pasua prishja e kontratës dhe zgjedhja e një kontraktori të ri.

“Kontrata me Energoinvest nuk parashikon ndryshim çmimi dhe është “çelës në dorë”. Braktisja e kantierit ose ndërprerja e punimeve, si dhe qëllimi i qartë për të mos vazhduar përmbushjen e obligimeve, janë bazë për prishjen e kontratës nga MEPSO”, shtojnë nga SH.A MEPSO.

Nga MEPSO pretendojnë se për shkak të mosndërtimit të interkonektorit me Shqipërinë, shteti humb 6 milionë euro në vit dhe deri tani ka paguar 1 milion euro penale për mosshfrytëzimin e fondeve. Pra, humbja totale deri tani arrin rreth 19.8 milionë euro. MEPSO para gjykatës së arbitrazhit do të kërkojë 19 milionë euro dëmshpërblim. Lidhja energjetike me Shqipërinë tani do të realizohet nga konsorciumi kroat “Dalekovod”, me kontratë prej 19.3 milionë euro dhe afat realizimi 30 muaj. Për Energoinvest janë paguar 4-5 milionë euro për vetëm 4% realizim. Ndërsa nënstacioni pranë Ohrit, si pjesa e dytë e lidhjes me Shqipërinë, duhet të përfundojë deri në tetor të këtij viti.