Makina Mercedes ka shkëlqyer sot në provat zyrtare të zhvilluara në pistën e Melburn, pasi të dy pilotët e saj dhanë kohën më të shpejtë dhe do ta nisin garën e parë sezonale të Formula 1 nga vija e parë. George Russell ishte më i shpejti në pistë, duke siguruar “pole position”.

Britaniku dha kohën 1’18”518, duke lënë pas me gati tri të dhjetat shokun e tij të skuadrës Kimi Antonelli. Dy makinat Mercedes dueluan mes tyre për “pole”, pasi rivalët ishin shumë pas. I treti u rendit Isack Hadjar me Red Bull, por ishte 7 të dhjetat më i avashtë se Russell.

Në vendin e katërt u rendit Ferrari i Charles Leclerc, që la pas dy makinat McLaren. Australiani Oscar Piastri, në pistën e shtëpisë u rendit i pesti, ndërsa shoku i tij i skuadrës Lando Norris u klasifikua në vendin e gjashtë. Në vendin e shtatë u rendit britaniku Lewis Hamilton me Ferrari.

Në “top-10” vendet e para edhe Liam Lawson e Arvild Lindblad me RB si dhe Gabriel Bortoleto me Audi. Zhgënjim i madh për Max Verstappen, që në sesionin e parë pati një aksident. Makina e tij Red Bull u përplas me barrierat, duke mos dhënë një kohë dhe do ta nisë garën nga vendi i 20-të.

The post Mercedes shkëlqen në Melburn, Russell siguron “pole position”, Verstappen i 20-ti pas aksidentit appeared first on Telesport.