Rreth 3 milionë euro kanë paguar qytetarët ndaj Drejtorisë së të Ardhurave Publike për tatim personal mbi të ardhurat që i kanë realizuar jashtë vendit në vitin 2020. Drejtoria ka dërguar mbi 11.000 vendime për qytetarët, prej të cilëve te 6.600 është konstatuar detyrim për pagesë tatimi. 2.200 kanë dorëzuar vetë llogaritjen për tatim, ndërsa për 4.400 llogaritjen e ka bërë DAP. Ata që kanë dorëzuar dëshmi se janë tatuar në një shtet tjetër, por që nuk u janë pranuar në sportelet e DAP-it me arsyetimin se afati ishte deri në fund të këtij viti, drejtoresha siguron se afati do të zgjatet dhe nëpunësit do të veprojnë.
“Duke pasur parasysh se qytetarët duhet të kthehen pas dhe të sigurojnë dëshmi për pesë vjet, për punë që ka ndodhur para pesë vjetësh, ndërsa dëshmitë i sigurojnë nga shtete të huaja, do t’u mundësojmë qytetarëve që edhe shtesë të dorëzojnë dëshmi. Pra, në këtë periudhë i ftojmë qytetarët, publikisht i ftoj edhe tani, të gjithë ata që kanë dhe që mund t’i sigurojnë dëshmitë t’i dorëzojnë në të gjitha zyrat tatimore të DAP-it”, theksoi Elena Petrova, drejtore e DAP-it.
Bëhet fjalë për qytetarë që kanë punuar në anije, në Afganistan, kanë qenë në mërgim ose kanë marrë honorare para pesë vjetësh nga shtete të tjera, dhe bëhet fjalë për mijëra euro tatim që DAP kërkon të paguhen menjëherë.
Petrova i ftoi qytetarët t’i sigurojnë dëshmitë dhe të paraqesin tatim për të ardhura të realizuara jashtë vendit edhe për periudhën nga viti 2021 deri në 2025, sepse pasi të kenë përfunduar me vitin 2020, do të pasojnë kontrollet edhe për vitet e tjera. Ajo pohon se në asnjë rast nuk do të ketë tatim të dyfishtë.
“Qytetarët që e kanë paguar tatimin jashtë vendit dhe tani kanë vepruar dhe kanë paguar sipas vendimeve tatimore, sigurisht që do të merren parasysh të gjitha dëshmitë, do të përcaktohet në përputhje me to, varësisht nga marrëveshja ndërkombëtare, nëse me shtetin kemi marrëveshje ndërkombëtare të lidhur, ku duhet të paguhet tatimi dhe ku duhet të bëhet kthimi, ose nëse është e mundur që tatimi i paguar jashtë vendit të pranohet si kredit tatimor; pagesa që është kryer këtu mund të kthehet ose të pranohet për një detyrim tjetër për vitin e ardhshëm”, pohoi Elena Petrova, drejtore e DAP-it.
Qytetarët e shprehën revoltën para DAP-it në Kumanovë, por edhe në rrjetet sociale, me pyetjen pse nuk janë njoftuar me kohë. Bëhet fjalë për persona që kanë punuar më së shpeshti në Lindjen e Mesme, ku jashtë Maqedonisë kanë qëndruar më shumë se 183 ditë në vit, me ç’rast kanë konsideruar se nuk janë rezidentë tatimorë dhe nuk kanë obligim të paguajnë tatim personal në Maqedoni. Një pjesë kanë deklaruar se kanë marrë edhe konfirmime gojore nga nëpunës të DAP-it se nuk i nënshtrohen tatimit. Problem shtesë është se nuk mund ta dëshmojnë qëndrimin jashtë vendit, pasi Ministria e Punëve të Brendshme nuk u lëshon vërtetime, sepse të dhënat nuk ruhen më gjatë se pesë vjet.
