Të mërkurën paradite, kancelari gjerman Friedrich Merz mbërriti në Pekin, duke filluar vizitën e vet të parë në Kinë qysh prej marrjes së detyrës. Ai është gjithashtu lideri i parë shtetëror që viziton Kinën pas Vitit të Ri Kinez.

Gjatë vizitës, kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping do të takohet me Merz-in dhe kryeministri kinez Li Qiang do të zhvillojë bisedime me të për të shkëmbyer mendime mbi marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet me interes të përbashkët.

Kina dhe Gjermania janë partnere të gjithanshme strategjike të përkushtuara ndaj bashkëpunimit me përfitime të përbashkëta. Liderët e të dy palëve ruajnë lidhje të ngushta dhe bashkëpunimi praktik vazhdon të thellohet. Bashkëpunimi me përfitime të përbashkëta Kinë-Gjermani ka sjellë dobi konkrete për të dy popujt. Gjatë 50 vjetëve qysh prej vendosjes së lidhjeve diplomatike, bashkëpunimi dypalësh në ekonomi e tregti është thelluar pandërprerë. Gjermania ka qenë gjithmonë partnerja më e madhe tregtare e Kinës në Evropë dhe vendi evropian me vëllimin më të madh të investimeve të huaja në Kinë. Vitet e fundit, Kina dhe Gjermania kanë ruajtur një nivel tregtar mbi 200 miliardë dollarë amerikanë dhe një nivel të investimeve të ndërsjella mbi 65 miliardë dollarë amerikanë. Këto dy shifra zënë rreth një të katërtën e vëllimit të përgjithshëm Kinë-BE.

Këtë herë, kancelari Merz drejton një delegacion ekonomik e tregtar të nivelit të lartë, ku përfshihen drejtuesit e lartë të afro 30 ndërmarrjeve kryesore në sektorë të tillë si automjetet, industria kimike, produktet biofarmaceutike, prodhimi i makinerive dhe ekonomia qarkulluese. Kjo tregon plotësisht dëshirën e fortë të Gjermanisë për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe ekonomike dhe tregtare.

Lidhur me vizitën e Merz-it, zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Mao Ning u shpreh që, si përkatësisht ekonomia e 2-të dhe ekonomia e 3-të më e madhe e botës, zhvillimi i mbarë i marrëdhënieve Kinë-Gjermani përputhet me interesat e të dy palëve dhe pritshmëritë e botës. Kina është e gatshme ta shfrytëzojë këtë rast që, bashkë me Gjermaninë, të shtojnë besimin reciprok, të thellojnë bashkëpunimin praktik dhe të zbatojnë parimin e respektit të ndërsjellë, trajtimit të barabartë e përfitimit të përbashkët, duke nxitur zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve kino-gjermane dhe duke dhënë më shumë kontribut për paqen dhe lulëzimin e botës.