Mexhiti: Çairi me bulevardin e ri modern bëhet qendra e zhvillimit të Shkupit

Në vazhdën e angazhimeve për një Çair modern dhe funksional, kandidati për kryetar në këtë komunë nga koalicioni qeverisës VLEN, z. Izet Mexhiti, sot shpalosi një nga projektet prioritare të mandatit të tij.

Pas përfundimit të bulevardit “Cvetan Dimov”, në vitin e parë të mandatit parashihet fillimi i shndërrimit të rrugës “Mid’hat Frashëri” (ish “Brigada Maqedono-Kosovare”) në një bulevard modern, me gjatësi 1.850 metra dhe profil 25 metra, në partneritet të ngushtë me qytetin e Shkupit.

Ky investim madhor do të sjellë, 4 korsi moderne për qarkullim më të shpejtë e të sigurt, shtigje për biçikleta dhe këmbësorë, hapësira të gjelbra që rrisin cilësinë e jetesës dhe estetikën urbane.

Sipas Mexhitit, ky bulevard do të jetë një arterie e rëndësishme që do të lidhë Çairin me rrugën “Xhon Kenedi”, duke i ofruar studentëve qasje më të lehtë drejt universiteteve, si dhe duke forcuar lidhjen Qendrës së Shkupit, Çairit dhe Shuto Orizarës.

Në fazën pasuese, projekti parashikon shndërrimin e plotë të rrugës “Xhon Kenedi” në bulevard modern, duke ndërtuar kështu një qark të ri urban bashkëkohor, që do ta vendosë Çairin në qendër të zhvillimit infrastrukturor të Shkupit.

“Ky projekt nuk është vetëm asfalt dhe beton. Është vizioni ynë për një Çair më të zhvilluar, më të sigurt dhe më afër standardeve evropiane. Është dëshmi se kur Çairi udhëhiqet me përkushtim dhe vizion, çdo premtim kthehet në realitet”, ka thënë kandidati i VLEN-it për kryetar në komunën e Çairit, z. Izet Mexhiti.

Komuna e Çairit dhe koalicioni VLEN mbeten të vendosur për të sjellë projekte konkrete që ndryshojnë jetën e qytetarëve, duke dëshmuar se Çairi gjithmonë di të jetë prijës i zhvillimit dhe shembull i së mirës.