Kandidati i VLEN për kryetar të komunës së Çairit, Izet Mexhiti shpalli një pjesë të programit të tij për arsim cilësor në Çair, që parasheh uniforma dhe vakte ditore falas për të gjithë nxënësit nga të gjitha shkollat ​​fillore në këtë komunë.

“Në Çair nuk ka dallime. Ka mundësi për të gjithë. Kjo është filozofia jonë e qeverisjes. Vizioni ynë për një komunë që garanton barazi, dinjitet dhe mbështetje për çdo familje. Prandaj, në programin tonë të arsimit kemi parashikuar masa të qarta për të lehtësuar barrën mbi familjet dhe për të siguruar kushte të barabarta për çdo fëmijë. Në të gjitha shkollat ​​fillore të komunës sonë, nxënësit do të kenë uniforma të financuara plotësisht nga buxheti i Komunës së Çairit. Asnjë familje nuk do të ketë shpenzime shtesë. Me këtë, synojmë të krijojmë mundësi të barabarta dhe të forcojmë ndjenjën e përkatësisë tek fëmijët tanë. Gjithashtu, Komuna e Çairit do të mbulojë vaktet ditore për të gjithë nxënësit që vijnë nga familje që marrin ndihmë sociale. Çdo fëmijë do të ketë kushte të mira për të mësuar, ushqyer dhe për t’u rritur me dinjitet”, tha Mexhiti.

Ai njoftoi se në të njëjtën kohë, siguria në shkolla do të forcohet me masa të reja fizike dhe teknologjike në bashkëpunim të ngushtë me institucionet arsimore dhe prindërit.

“Sepse çdo prind duhet të jetë i qetë që fëmija i tij është i sigurt në shkollë. Ky është Çairi që po ndërtojmë – Çairi i barazisë, kujdesir dhe solidaritetit. Një komunë që punon, ndan dhe kujdeset për të gjithë. Një komunë që i kthen fjalët në vepra dhe tregon çdo ditë se politika e mirë është ajo që përmirëson jetën e qytetarëve. Fëmijët tanë janë e ardhmja jonë. Nëse investojmë tek ata, investojmë në të ardhmen e Çairit”, tha Mexhiti.