Gazetar: Zekirija Haxhiu
Kryeministri Hristijan Mickoski u bën thirrje qytetarëve që të mos bien pre e manipulimeve parazgjedhore të BDI-së, e cila siç tha, tenton të nxisë konflikt mes qytetarëve me tema të vjetra prej para 20 apo 30 viteve. Sipas Mickoskit, BDI-ja ka për qëllim që të nxitë qytetarët të dalin në zgjedhje dhe të mos votojnë me pretekstin se “ja edhe këta janë kriminelë sikur ne”.
“Sepse nëse qytetarët dalin dhe nuk votojnë për koalicionin VLEN, atëherë këta të BDI-së mendojnë se do të jenë fitues absolut dhe normalisht do të insistojnë dhe do të tentojnë të provokojnë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Kjo nuk shkon kështu. T’i lëmë politikanët të cilët përçanin në të kaluarën, ata nuk kanë tema për të ardhmen, ata nuk e dinë se çfarë është e ardhmja. Ata kanë ngecur në matricën e tyre të së kaluarës. Shihni, 14-15 muaj opozitë dhe mesazhi i vetëm që vjen nga BDI bashkë me partnerët e vjetër të rinj, LSDM dhe E Majta është pikërisht ajo, përçarje”, deklaroi Hristijan Mickoski – Kryeministër.
Ndërkohë në pikëpyetje ka mbetur çështja e kandidatëve të pavarur për të cilët KSHZ ka shfuqizuar pjesën e rregullores për përqindjen e nënshkrimeve të mbledhura. Sipas Mickoskit, përsëri KSHZ është ajo që duhet të sjellë rregullore apo zgjidhje të re. Ndërkohë në Kuvend kanë mbetur peng propozimet ndryshimet e kodit zgjedhor, me çka kandidatët e pavarur duhet të mbledhin 1% të nënshkrimeve nga numri i votuesve në komunën ku kandidojnë.
“Është harmonizuar nga ana e partive politike në Kuvend dhe tanimë disa muaj ka ngelur aty. Kur them është harmonizuar mes partive politike flas për të gjitha partitë politike që janë në Parlament, përpos një partie e cila ndryshoi mendje në moment të fundit. Sepse duan që anëtari në komisionin zgjedhor që është nga radhët e tyre, të mund të vendosë veto ndaj vendimit të komisionit dhe këshillave zgjedhore. Kjo nuk ndodhë askund në botë”, tha Hristijan Mickoski – Kryeministër.
Zgjedhjet lokale janë shpallur për më 19 tetor ndërsa partitë politike edhe më tej nuk i kanë definuar të gjitha emrat e kandidatëve në 80 njësi të vetëqeverisjes dhe qytetin e Shkupit. Kontrolli i Listës Zgjedhore, fillon 15 ditë pas shpalljes së zgjedhjeve dhe zgjatë gjithsej 20 ditë. Qytetarët, gjatë asaj kohe mund t’i verifikojnë të dhënat e tyre dhe nëse ka parregullsi të kërkojnë të ndryshohen. Afati për dorëzimin e listave të kandidatëve skadon 35 ditë para ditës së zgjedhjeve, gjegjësisht më 15 shtator. KSHZ, duhet t’i verifikojë dhe konstatojë listat më së voni deri më 27 shtator. Fushata zgjedhore fillon më 30 shtator dhe do të zgjatë 20 ditë. /Alsat.mk
The post Mickoski: BDI përpiqet të shkaktojë përçarje me tema të para 20 ose 30 viteve appeared first on Alsat.
