Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se ka informacion se zjarre si ai në Trubarevë do të vazhdojnë të ndodhin, sepse ekzistojnë qendra të pushtetit brenda dhe jashtë vendit që nuk duan që qeveria e tij të ketë sukses. Ai theksoi se këto zjarre, po ashtu si ato të verës, do të vazhdojnë, sepse dikush ka interes që të ndodhin.

-Ata do të vazhdojnë të sajojnë, të shpikin, të përfitojnë në mënyrë të pandershme, ndërsa ne do të vazhdojmë të punojmë dhe të luftojmë dhe në fund do të fitojmë. Kështu që dua t’i dërgoj mesazh të gjithë qytetarëve, se kjo që po ndodh tani dhe ajo që ka ndodhur këtë verë, me të cilën jemi ballafaquar me sukses, do të vazhdojë, sepse dikush ka interes të ndodhë, por do të mposhten, tha Mickoski.

G: A keni informacione nga shërbimet se me të vërtet kjo është e organizuar dhe nga kush vjen?

-Po, kemi informacione, pohoi Mickoski.

G: Nga kush vjen?

-Nga qendra në shtet dhe jashtë, shtoi Mikcoski.

Nga ana tjetër zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska tha se Maqedonia është tashmë një vend i rrezikshëm për të jetuar dhe se ajo që po ndodh është turp për një shtet që po fundoset në kaos për shkak të paaftësisë dhe indiferencës.

“Mbi 500 mijë banorë të Shkupit dhe rrethinës janë në rrezik dhe përballen me kërcënim për shëndetin për shkak të tymit helmuese nga zjarret në Trubarevë, Drisllë dhe Vardarishtë, ndërsa qeveria fshihet pas historive të sajuara për sulm hibrid. Shkupi po përjeton një katastrofë ekologjike, ndërsa qeveria e paaftë nuk ka as kapacitet dhe as dijeni për të përballuar situatën”, deklaroi Bogdanka Kuzeska – zëdhënësja e LSDM-së.

Ndryshe kryeministri Mickoski njoftoi se janë ndaluar katër persona dhe se hetimi për zjarrin është në vazhdim.