Kryeministri Hristijan Mickoski, në seancën e sotme parlamentare për pyetje të deputetëve, duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit dhe liderit të LSDM-së, Venko Filipçe, si dhe akuzave të tij për gjendjen e keqe të ekonomisë, theksoi se shifrat janë të pamëshirshme. Ai tha se, duke marrë parasysh gjendjen fillestare që la qeveria e LSDM-së dhe BDI-së, përkatësisht bazën e ulët me të cilën krahasohen rezultatet e kësaj Qeverie, shifrat e dy viteve e gjysmë të fundit janë më dominuese se ato të çdo ekonomie tjetër.

“Sa i përket ekonomisë, karburanteve e kështu me radhë, do të ndaj diçka me ju. Kudo që shkojmë, përfshirë edhe dje në Bruksel, të gjithë pyesin se si arrijmë të kemi çmime prej 30 deri në 50 centë për litër më të ulëta se tek ata për naftën dhe si arrijmë ta mbajmë këtë gjendje për muaj të tërë. Fjalë për fjalë të gjithë pyesin, madje edhe vende shumë më të zhvilluara se i yni”, tha Mickoski.

Ai i tha Filipçes se mund të tallen sa të duan dhe të nënçmojnë arritjet në ekonomi, por shifrat janë të pamëshirshme.

“Shifrat janë të pamëshirshme dhe ato janë shumë më dominuese se ato të çdo ekonomie tjetër në dy vitet e gjysmë të fundit, duke pasur parasysh fillimin, përkatësisht bazën me të cilën krahasohemi. Ne krahasohemi me një bazë shumë të ulët, falë qeverisë suaj. Dhe po, mbi këtë bazë të ulët me të cilën krahasohemi, kriminale, tradhtare, antipopullore e kështu me radhë, ne kemi rritje ekonomike prej 3,8 për qind në vitin 2024, në terma realë. Në vitin 2025 po ashtu 3,8 për qind, ndërsa mesatarja në gjysmën e parë të këtij viti është 3,7 për qind, me ç’rast në tremujorin e dytë rritja reale është 4,3 për qind, ndërsa ajo nominale është ndërmjet 7 dhe 8 për qind”, theksoi Mickoski.

Sa i përket Bruto Produktit Vendor (BPV), Mickoski tha se objektivi prej 20 miliardë dollarësh, të cilin Qeveria e kishte vendosur për fundin e mandatit, është arritur që në vitin 2025.

“Dhe ajo që ishte synimi ynë, të arrinim në 20 miliardë dollarë në fund të mandatit, mund t’ju them se këtë synim e realizuam që në fund të vitit 2025. Arritëm afër 20 miliardë dollarëve BPV. Këtë vit do të kalojmë mbi 21 miliardë dollarë, ose përafërsisht 21 miliardë e 200-300 milionë dollarë, po flas për BPV-në nominale të vitit 2026. Sipas fuqisë blerëse është mbi 32 mijë dollarë për kokë banori, ndërsa në terma nominalë është diku rreth 12 mijë e diçka. Po flas për vitin 2025, ndërsa në vitin 2026 do të jetë më shumë. Këto janë shifra dhe para shifrave, siç thuhet, edhe zotat heshtin. Besoj se këtë do t’jua shpjegojnë”, theksoi Mickoski.

Mickoski iu përgjigj edhe akuzave lidhur me integrimet evropiane, duke theksuar se, ndryshe nga opozita, ai nuk shkon jashtë Maqedonisë për t’i denoncuar njerëzit nga Maqedonia.

“Unë luftoj edhe për ju. Madje edhe për atë që keni bërë me Marrëveshjen e Prespës, Marrëveshjen për Fqinjësi të Mirë dhe propozimin francez, si dhe pranimin e tij, jashtë Brukselit nuk do të them kurrë asnjë fjalë. Së pari, kjo është pjesë e edukatës sime familjare, ndërsa së dyti, unë luftoj për qytetarët që patën fatkeqësinë që ju, për shtatë vjet, të ishit pjesë e qeverisë si koalicion LSDM-BDI. Ajo që mendoj për ju, jua them drejtpërdrejt në sy dhe këtu nuk ka asnjë dilemë, qoftë përmes pyetjeve të deputetëve apo në ndonjë formë tjetër. Por jashtë Maqedonisë, sado të këqij dhe të dobët të jeni, sado tradhtarë të mëdhenj të kombit tuaj të jeni, sado që nuk e keni mbrojtur popullin tuaj kur patët mundësinë gjatë atyre shtatë viteve, unë kurrë nuk do të them një fjalë të keqe. Sado kriminelë të keni qenë gjatë atyre shtatë viteve, unë kurrë nuk do të them një fjalë të keqe. Sepse mendoj se ajo që është për brenda, mbetet për brenda. Ajo që është për jashtë, është për jashtë”, tha Mickoski.

Kryeministri vlerësoi se ka kaluar koha kur në Maqedoni kishte politikanë që interesoheshin vetëm për interesat e tyre dhe xhepin e tyre.

“Sa u përket projekteve tuaja kapitale dhe asaj për të cilën kemi thënë se është kriminale, po jua përsëris për të satën herë. Projekti Bechtel dhe Enka, i ashtuquajturi Korridori 8 dhe 10D, është kriminal. Por çfarë mundësie kishim? T’i lëmë ato 350, 250, 300 milionë që i keni shpenzuar dhe i keni transferuar nga buxheti? Ja, i bëj thirrje Prokurorisë Publike që të vijë dhe të hetojë. Mendoj se tashmë po hetojnë. Po, mendoj se është projekt kriminal dhe projekti më i keq për ekonominë e Maqedonisë. Por duhet ta përfundojmë. Çfarë të bëjmë? Duhet ta përfundojmë. A ta lëmë në gjysmë, ashtu siç vepruat ju me Kërçovë-Ohër? Kjo nuk është sjellje e përgjegjshme. E kuptoni, tani është koha e politikanëve që sillen me përgjegjësi ndaj kapitalit shoqëror dhe ndaj popullit. Dhe po, do ta përfundojmë atë projekt. Duhet ta përfundojmë dhe po e përfundojmë. Ja, çështjet pronësore-juridike janë zgjidhur të gjitha. Gjithçka është zgjidhur, përveç asaj pjese rrugore nga Trebenishta deri në Qafë Thanë, për shkak të UNESCO-s”, u përgjigj Mickoski.

Ndërkaq, lidhur me pyetjen e drejtpërdrejtë të Venko Filipçes se me kë kishte bërë marrëveshje për hyrjen e Alta Bankës, Mickoski u përgjigj shkurt se kjo Qeveri është ndryshe dhe se nuk bën marrëveshje të tilla.