Gjërat janë serioze për shkak të krizës në Lindjen e Mesme, por do të luftojmë që qytetarët tanë të paguajnë më pak se ata në rajon, theksoi kryeministri Hristijan Mickoski duke folur për derivatet. Ai theksoi se furnizimi me karburante në vend është stabil. Inspektorati Shtetëror i Tregut është në terren, ndërsa kërkesa sipas kryeministrit është rritur për shkak të presionit nga vendet fqinje ku karburantet janë më të shtrenjta deri në 50 për qind krahasuar me ne. Ndryshe, nesër Komisioni Rregullator për Energjetikë duhet të shpallë çmimet e reja të karburanteve. Më herët kryeministri paralajmëroi se të martën Qeveria do të ndërhyjë me masa nëse ka rritje drastike të çmimeve. Në bursat botërore ndërkohë çmimet e naftës janë rritur mbi 90 dollarë për fuçi, ndërsa pritjet janë që nëse konflikti zgjat, nafta do të kalojë mbi 100 dollarë për fuçi.

“Janë vërejtur sjellje të tilla në disa pika karburanti në komunat kufitare, sepse ka presion të madh nga shtetet fqinje ku çmimi i karburanteve është më shumë se 40–50 për qind më i lartë se çmimet e karburanteve që janë tek ne. Për shembull në Serbinë fqinje ai është ndërmjet 120 dhe 130 denarë për litër, po flas për dizelin, ndërsa tek ne është 71 denarë dhe si rezultat i kësaj ne kemi një rritje të madhe, jashtëzakonisht të madhe të konsumit të naftës dhe derivateve të naftës dhe ndoshta për shkak të kësaj në disa pompa benzine ka ardhur deri te mungesa e sasive”, deklaroi kryeministri i vendit Hristijan Mickoski.