Kryeministri Hristijan Mickoski i caktoi agjendën e punës kryeprokurorit Nenad Saveski. Para gazetarëve kreu i ekzekutivit i numëroi rastet në të cilët duhet fokusuar të gjitha kapacitetet e organit të akuzës.
“Si u dënuan dhjetëra njerëz për terrorizëm dhe në çfarë mënyrë janë përdorur dëshmitarët e mbrojtur, flas për 27 prillin e 2017. A ka persona që kanë dhënë deklarata nën presion të ushtruar nga persona të caktuar nga gjykata dhe prokuroria që ishin përfshirë në këtë rast. Këtë patjetër ta din opinioni nëse duam të shkojmë përpara”, deklaroi Hristijan Mickoski, Kryeministër.
Mickoski tha se duhet zgjeruar hetimet mbi tragjeditë e viteve të kaluara, ndërsa nuk la pa përmendur as denoncimet e bëra për korrupsion, duke përfshi edhe raportet e Revizionit për shpërdorime nëpër institucione të ndryshme.
“Si ndodhi Spitali Modular? Pse ndodhi? Pse u transferuan kompetencat? A janë përfshirë të gjithë. Çfarë ka në krimin energjetik, me qymyrin, kompanitë që kanë sponzorizuar politikanë të caktuar, si kanë ndodhur shumë gjëra të cilat janë të dokumentuara dhe janë dorëzuar në Prokurori, por nuk kemi bërë shou”, theksoi Hristijan Mickoski, Kryeministër.
Gazetari: A kemi kapacitete të merremi me gjithë këto raste?
Mickoski: Patjetër të ketë!
Ditë më parë kryeprokurori Saveski deklaroi se i ka zhveshur nga kompetencat të gjithë ish prokurorët special që kanë vepruar mbi lëndët që kishte ngritur Katica Janeva. Në këtë grup përfshihet edhe prokurorja Lençe Ristovska e cila përfaqësonte akuzën në lëndët mbi financimin e VMRO-DPMNE-së. Saveski mohoi zërat se ky vendim ka prapavijë politike, duke e mbrojtur me vendimin e pa vendosur akoma në fuqi me arsyetimin se në një lëndë Ristovska ka vepruar jashtë kompetencës së nivelit të prokurorisë së cilës i takon. LSDM-ja ka akuzuar kryeprokurorin dhe kryeministrin se po partizojnë prokurorinë për hakmarrje politike./ Alsat.
The post Mickoski i dikton hapur kryeprokurorit çështjet që duhet të hetojë appeared first on Alsat.
