Inflacioni për produktet ushqimore bazë nuk pritet që të jetë më i madh se 1% në muaj krahasuar me marsin, tha kryeministri Hristijan Mickoski. Për karburantet shtoi se janë ulur akcizat dhe TVSH-ja për benzinën pa plumb dhe kjo i ka kushtuar buxhetit. Sipas Mickoskit, situata me lëvizjen e çmimeve të karburanteve në bursat botërore po monitorohet nga afër në përputhje me zhvillimet me konfliktin në Lindjen e Mesme.

“Tek fqinji ynë lindor, inflacioni tejkalon gjashtë përqind, në Kroaci është rreth 5.5 deri në gjashtë përqind, ndërsa te fqinji ynë jugor është afërsisht 4.5 deri në pesë përqind. Prandaj, pres në ato korrniza të jetë kështu inflacioni, por është jashtëzakonisht e rëndësishme të monitorohet se si do të ndryshojë inflacioni mujor për produktet ushqimore bazë krahasuar me marsin. Ajo që po bëjmë me Inspektoratin Shtetëror të Tregut, nuk pres që të jetë më i madh se 1 përqind në muaj, po flas për marsin”, tha Mickoski.
Nga ana tjetër reagoi kryetari i LSDM-së Venko Filipçe për rritje të çmimeve të karburanteve dhe mungesë masash ekonomike. Siç theksoi, shporta e konsumatorit është bërë më e shtrenjtë me rreth 3.300 denarë në vit. Filipçe shtoi se nëse Qeveria i kishte pranuar propozimet e masave të tyre, nuk do të kishte kaq shumë rritje të çmimeve.

“Kryeministri dhe qeveria e tij ende refuzojnë të pranojnë masat tona të propozuara, për të hequr TVSH-në për ushqimet në mënyrë që ushqimet që janë bërë dukshëm më të shtrenjta të mund të bëhen më të lira, për të ulur TVSH-në për karburantet shtesë në 5%, ata nuk e bënë, përkundrazi, ata refuzojnë të përgjysmojnë çmimet e pikëpagesave, gjë që do të lehtësojë ndjeshëm funksionimin dhe udhëtimin e qytetarëve”, tha Filipçe.

Sipas të dhënave nga Banka Qendrore Evropiane, inflacioni në eurozonë do të rritet në 2.7 përqind mesatarisht këtë vit, por do të kthehet afër objektivit prej dy përqind në vitin e ardhshëm, sipas anketës tremujore të parashikuesve profesionistë të institucionit.
Sipas të dhënave nga Enti Shtetëror i Statistikave, inflacioni i matur përmes indeksit të çmimeve të konsumit në mars 2026, krahasuar me shkurtin 2026, është 0.7 përqind.