Kryeministri Hristijan Mickoski, sot në ambientet e Qeverisë, realizoi një takim me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në kuadër të turneut të saj ballkanik.

Gjatë takimit u diskutua për perspektivën evropiane të vendit, përparimin në proceset reformuese, bashkëpunimin ekonomik, sigurinë energjetike dhe transformimin digjital.

Kryeministri Mickoski theksoi vendosmërinë e Qeverisë për të përshpejtuar integrimin evropian të vendit përmes rezultateve konkrete dhe përmbushjes së standardeve evropiane. Ai nënvizoi se shteti pret nga Bashkimi Evropian një përkushtim të qartë dhe konkret, si një konfirmim i perspektivës evropiane dhe mbështetje për qytetarët që prej dekadash mbeten të përkushtuar ndaj vlerave evropiane.

Vizita e Presidentes së Komisionit Evropian paraqet një konfirmim të dialogut të hapur dhe gatishmërisë së ndërsjellë për thellimin e partneritetit, në interes të stabilitetit, zhvillimit ekonomik dhe të ardhmes evropiane të vendit.