-Sistemi pensional në vend është stabil dhe i sigurt, ndërsa pensionistët nuk kanë asnjë arsye për t’u shqetësuar. Mosha e pensionimit për momentin nuk do të rritet, deklaroi sot kryeministri Hristijan Mickoski. Ai theksoi se qeveria i merr parasysh të gjitha propozimet dhe vërejtjet për reforma, por vendimin përfundimtar e merr vetë Qeveria.
Stabiliteti financiar, tha Mickoski, nuk sigurohet duke shkurtuar të drejtat e qytetarëve, por duke identifikuar mjetet që keqpërdoren dhe duke i ridrejtuar ato për nevoja reale.
Si shembull ai përmendi reformën aktuale në sektorin e mbrojtjes sociale, ku, sipas tij, janë evidentuar anomali serioze.
“Ne kemi përfitues fiktivë ose persona që, sipas të gjitha parametrave, nuk duhet të jenë përfitues të ndihmës minimale të garantuar apo të sigurimit social. Nuk bëhet fjalë për pak para. Nëse i analizoni në nivel vjetor, arrini në një shumë prej 1 deri në 1.5 miliardë denarë”, tha Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve për nevojën e reformës së sistemit pensional.
Si shembull tjetër ai përmendi edhe SHA ESM-në, ku, sipas tij, mund të shihet suksesi i reformave qeveritare. Kompania, e cila më parë kishte shënuar humbje prej 180 milionë eurosh, në tre tremujorët e parë të këtij viti ka bilanc pozitiv dhe fitim prej rreth 6.5 milionë eurosh.
Duke komentuar kritikat e Këshillit Fiskal se rritja lineare e pensioneve ka krijuar deficit shtesë në Fondin Pensional, Mickoski tha se çdo vendim politik ka anët e veta pozitive dhe negative, por sipas tij, në këtë rast përfitimet janë më të mëdha.
Ai theksoi se rritja lineare e pensioneve ka sjellë ngarkesë shtesë për buxhetin, por njëkohësisht ka ndikuar në uljen e shkallës së varfërisë në vend.
Mickoski tha gjithashtu se sistemi pensional, pavarësisht sfidave, është likuid. Sipas tij, një nga problemet që po përballet vendi lidhet me mungesën e fuqisë punëtore.
Aktualisht, në vend janë rreth 709 mijë të punësuar, ndërsa për një zhvillim optimal ekonomik, sipas Mickoskit, nevojiten rreth 800 mijë.
“Ne duhet të gjejmë edhe 90 mijë të punësuar të rinj që do të krijojnë të ardhura për punëdhënësit. Këtë duhet ta bëjmë. Kam frikë se, sipas projeksioneve për 15 deri në 20 vjet nga sot, numri i të punësuarve mund të bjerë nën 500 mijë. Atëherë do të shfaqen problemet e vërteta për sistemin pensional, shëndetësor, shtetin dhe ekonominë në tërësi”, tha Mickoski.
Ai paralajmëroi se mungesa e fuqisë punëtore është një trend që po përfshin Evropën dhe botën, duke e lidhur atë me shkallën e ulët të lindshmërisë dhe aktivitetin më të ulët të familjeve.
Për këtë arsye, Mickoski tha se politikat pro-familjare duhet të trajtohen seriozisht, pasi, sipas tij, në të kundërtën vendi do të duhet të importojë fuqi punëtore, gjë që sjell edhe sfida të tjera.
