Gazetar: Zekirija Haxhiu
Kitanoviq e kuptoi se ka gabuar dhe nuk ka nevojë ta kryqëzojmë tani. Kjo ishte përgjigja e kryeministrit Hristijan Mickoski kur u pyet nëse do të shkarkojë drejtorin e Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve, Dalibor Kitanoviq, i cili e lartësoi Ratko Mlladiçin, kriminelin serb të dënuar për krime lufte. Qëndrimi i tij është personal thotë Mickoski ndërsa Qeveria ka qëndrime të tjera demokratike. Sipas kryeministrit, të gjithë anëtarët e Qeverisë duhet t’i ndjekin vendimet e ekzekutivit për çështje të caktuara.
“Nëse jemi Qeveri koalicioni, atëherë çdo aksion individual është solo aksion dhe qëndrim individual dhe nuk ka asnjë lidhje me qëndrimet e Qeverisë. Ja, zotëriu e tërhoqi qëndrimin e tij, kërkoi falje dhe mendoj se nuk duhet tani ta kryqëzojmë për diçka dhe të kërkojmë përgjegjësi penale për diçka që ai vet e ka kuptuar se ka gabuar, kërkoi falje dhe e tërhoqi qëndrimin e tij”, u shpreh kryeministri Hristijan Mickoski.
Kryeministri më tej shton se nuk ka informacione nëse veprimi i Kitanoviqit paraqet vepër penale. Megjithatë ashtu edhe siç ka informuar paraprakisht Alsat, neni 407-a i Kodit Penal parasheh nga 1 deri në 5 vjet burg për ata të cilët pranojnë ose justifikojnë gjenocidin, krimet e luftës kundër njerëzimit ose krimet e luftës. Për të gjitha veprat e rënda që përshkruhen në Kodin Penal që nuk guxojnë të justifikohen, Ratko Mlladiq është dënuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës.
Lidhja Demokratike e Boshnjakëve ndërkohë kundër Kitanoviqit ka ngritur kallëzim penal për veprën penale “Shpërndarje të materialeve raciste dhe ksenofobike në sistem kompjuterik”, e dënueshme sipas nenit 394-g të Kodit Penal. Sipas tyre, është e palejueshme që një bartës i një funksioni publik, me veprimet e tij dhe mesazhet publik të relativizojë krimet e luftës dhe të ofendojë dinjitetin e viktimave.
Përgjegjësi nga Kitanoviq dhe shkarkimin e tji e kanë kërkuar gjithashtu edhe Lëvizja e Turqve, LSDM dhe PLD.
Kitanoviq i cili vjen nga partia serbe e Ivan Stoillkoviqit, shpërndau një foto lartësuese për Mlladiqin me mbishkrim “Për kryqin e shenjtë dhe lirinë e artë”. Pas dy ditëve heshtje, i njëjti fshiu postimin dhe i kërkoi falje kryeministrit./Alsat.mk.
The post Mickoski për Kitanoviqin: E pranoi gabimin dhe kërkoi falje, nuk ka nevojë ta kryqëzojmë appeared first on Alsat.
