
Shkup, 1 prill- Kryeministri Hristijan Mickoski ka reaguar ndaj polemikave të fundit për devijimin e mundshëm të Korridorit 8, duke siguruar se Struga dhe rajoni përreth nuk do të mbeten jashtë lidhjes me autostradën. Në një deklaratë publike, Mickoski theksoi se qytetarët e Strugës duhet të jenë të qetë, pasi sipas tij qeveria që ai udhëheq është e përkushtuar për zhvillimin e barabartë të të gjithë territorit të vendit, shkruan gazeta KOHA
“Kjo është qeveri e gjithë territorit dhe nuk ka ndërmend askënd ta lërë të harruar”, deklaroi ai, duke përfshirë në këtë zotim edhe qytetarët e Kërçovës, Vevçanit, Debarcës dhe të gjitha zonave të tjera. Deklaratat e kryeministrit vijnë pas reagimeve të shumta në opinion, ku është ngritur shqetësimi se ndryshimet në projektin e Korridorit 8 mund ta lënë Strugën pa dalje direkte në autostradë dhe pa lidhje funksionale me Shqipërinë. Mickoski akuzoi opozitën dhe një pjesë të mediave për tentativa për të nxitur polarizim etnik rreth kësaj çështjeje. Ai u shpreh se gjatë mandatit të tij nuk do të lejojë përçarje të tilla, duke theksuar se zhvillimi infrastrukturor duhet të shihet si interes i përbashkët shtetëror dhe jo si temë ndarëse.
“Tentimet për polarizim etnik nga ana e opozitës, sidomos partive opozitare dhe mediave të caktuara nuk do të komentoja dhe nuk do të lejoj që derisa unë të jem kryeministër i vendit të ketë polarizim etnik në shtet, për shkak se nëse e shohim ashtu atëherë në komunat Kërçovë, Debarc, Ohër, Strugë dhe Vevçan shumica e popullatës janë maqedonas, ashtu që unë politikan të caktuar opozitar nga kampi politik shqiptar nuk do ti komentoj”, theksoi Mickoski.
Sa i përket aspektit ekonomik, kryeministri vlerësoi se ndërtimi i autostradës në kuadër të Korridorit 8 ka rëndësi të drejtpërdrejtë për rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), duke ndikuar pozitivisht edhe në tregjet financiare dhe në standardin e qytetarëve. “Ne jemi qeveri që dëshiron të realizojë projekte konkrete”, theksoi ai.
Duke iu referuar kritikave për ecurinë e projektit, Mickoski akuzoi qeverinë e kaluar se në segmentet e Korridorit 8 dhe Korridorit 10d ka realizuar vetëm pagesa paraprake dhe jo punë konkrete në terren. Një pjesë e rëndësishme e debatit lidhet edhe me ndërhyrjet në zonat e mbrojtura. Kryeministri sqaroi se ndryshimet në trase janë bërë për shkak të kufizimeve në zonat e mbrojtura nga UNESCO, duke theksuar se qeveria do t’i respektojë standardet ndërkombëtare dhe nuk do të ndjekë politika selektive. Ai paralajmëroi se gjatë muajit korrik pritet një qëndrim përfundimtar lidhur me vlerësimin e UNESCO-s për projektin.
“Nëse ajo trajektore mbetet kontestuese, do të shqyrtojmë alternativa të tjera, por qytetarët nuk do të mbeten pa lidhje me autostradën”, u shpreh Mickoski. Në fund, ai ngriti edhe çështjen e infrastrukturës në anën shqiptare, duke deklaruar se autostrada në Shqipëri nuk është planifikuar të arrijë deri në Qafë Thanë, por do të ndalet disa kilometra para. “Është mirë që atë pyetje tua bëjnë edhe politikanëve shqiptarë të Shqipërisë, sepse atje autostrada nuk do të jetë deri në Qafthanë, nuk do të jetë as rrugë eksprese, por do të jetë deri në 20-25 kilometra para Qafthanës, kjo është pyetja e vërtetë. Duhet ti tregojmë punët ashtu siç janë”, theksoi kryeministri Hristijan Micksoski
Deklaratat e kryeministrit vijnë në një moment kur debati për Korridorin 8 është intensifikuar, duke e kthyer këtë projekt strategjik në një nga temat më të ndjeshme politike dhe zhvillimore në vend. (koha.mk)
