Mickoski: Të gjitha kërkesat e Bullgarisë janë nga viti 2022! “Me ndryshimet kushtetuese do të hapet Kutia e Pandorës”

Nuk ka kërkesa të reja nga Bullgaria, por bëhet fjalë për kërkesa nga viti 2022, të cilat i nënshkroi qeveria e kaluar. Këtë e deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski pas informacioneve që dolën në opinion pas vizitës së djeshme të presidentes Siljanovska dhe shefit të diplomacisë Mucunski në Bullgari. Mickoski shpjegoi se ndryshimet kushtetuese janë vetëm fillimi i asaj që do të pasojë me kërkesat bullgare. Puna e Komisionit Historik nuk është formale, por thelbësore, dhe në Bullgari ekzistojnë dallime serioze rreth personaliteteve dhe ngjarjeve kyçe historike, theksoi Mickoski.

“Nuk bëhet fjalë vetëm për ndryshimin e Kushtetutës dhe përfshirjen e një pjese të komunitetit bullgar në Preambulë, jo. Kjo është vetëm fillimi, vetëm po e hapim Kutinë e Pandorës. Pason Plani i Veprimit, pason puna e Komisionit Historik, pason Protokolli 2, ku puna e Komisionit Historik është vetëm një nga kërkesat. Aty ka ndoshta rreth 15 kërkesa të reja që ne si shtet duhet t’i përmbushim. Kështu që nuk ka asgjë ndryshe nga ajo që dëgjojmë sot, nga ajo që dëgjojmë në vazhdimësi dhe që për fat të keq qeveria e kaluar e pranoi në vitin 2022”, tha Mickoski.

Megjithatë, Mickoski thotë se mbetet optimist pas takimit të tij me Makronin dhe Mercin në Samitin e Bashkimit Evropian që javën e kaluar u mbajt në Tivat.

“Unë ende jam optimist kur bëhet fjalë për bisedën që pata me kancelarin Merz dhe me presidentin francez Macron, sepse ajo që biseduam në atë takim është krejtësisht ndryshe nga ajo që është biseduar në takimin e djeshëm. Prandaj ne duhet të jemi optimistë dhe të punojmë, por në të njëjtën kohë edhe t’i mbrojmë interesat kombëtare maqedonase”, deklaroi Mickoski.

Presidentja Siljanovska dje në Sofje, pas takimit me homologen e saj Jotova, konfirmoi se Bullgaria pret përmbushjen e kërkesave nga protokollet e Komisionit të Historisë.

“Nuk janë në pyetje vetëm ndryshimet kushtetuese, por janë në pyetje edhe kërkesa të tjera të lidhura me protokollet që burojnë nga puna e Komisionit të Historisë”, tha Siljanovska.

Ndërkaq, ambasadori Rokas dje theksoi se ndryshimet kushtetuese duhet të miratohen për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ndërsa sa i përket non-paper-it gjermano-francez, tha se ai nuk mund ta zëvendësojë procesin negociues, i cili fillon me hapjen e klasterëve.