Skena të tensionuara në “San Siro”, gjatë ndeshjes Milan-Atalanta 2-3, ku protesta e tifozëve kuqezinj kundër drejtuesve të klubit u përshkallëzua edhe në tribuna. Emri i Paolo Maldinit u brohorit fort nga një pjesë e publikut, në shenjë nostalgjie për periudhën e tij si drejtues sportiv, i larguar në vitin 2023, pas përplasjeve me pronësinë e klubit.

Sipas raportimeve të mediave italiane, situata mori kthesë absurde kur dy tifozë shfaqën një fanellë të Maldinit pranë zonës VIP, por u ndaluan menjëherë nga siguria e stadiumit dhe u larguan nga sektori.

Ngjarja pasqyron klimën e rënduar rreth Milanit, ku tifozët kanë shtuar kritikat ndaj drejtimit aktual dhe mungesës së identitetit sportiv. Në mediat italiane është theksuar prej kohësh edhe distanca mes tifozëve dhe projektit të ri të klubit, i cili ka shkaktuar pakënaqësi të vazhdueshme në “San Siro”.

Paradoksi mbetet i fortë; një legjendë si Maldini, simbol i historisë kuqezi, po kthehet në pikë referimi të protestës së tifozëve ndaj drejtuesve të sotëm të klubit.

 

The post Milani në kaos, rebelohen tifozët. Fanella e Maldinit shkakton skandal në “San Siro” appeared first on Telesport.