Përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut në futboll do të zhvillojë nesër ndeshje miqësore kundër Letonisë në stadiumin “Todor Proeski” në Shkup. Kjo përballje shërben si test për trajnerin Blagoja Milevski, i cili pritet të provojë disa ndryshime në formacion dhe t’u japë hapësirë më shumë lojtarëve. Ndeshja do të luhet të enjten, më 13 nëntor, me fillim nga ora 18:00, dhe do të jetë mundësi e mirë për “verdhekuqët” që të ruajnë ritmin dhe të përgatiten për sfidën e ardhshme me Uellsin në Kardif, në kuadër te kualifikueseve për botërorin 2026.
“Nuk keni të drejtë të jeni diku më të dobët apo më pak të mirë, e diku tjetër më cilësorë. Duhet që në të gjitha segmentet të jeni në nivelin më të lartë të mundshëm, në mënyrë që të mund të jeni konkurrues. Maqedonia tregoi se mund të jetë, jo vetëm në një apo dy ndeshje, por në një periudhë të gjatë prapa, nëse jo për më shumë se dy vjet, se ka cilësi dhe se jemi konstantë – gjë që më gëzon më së shumti. Nuk kemi luhatje të mëdha në lojë dhe në rezultate, prandaj ky është drejtimi në të cilin duhet të ecë Maqedonia edhe në të ardhmen”, tha Blagoja Milevski – Selektor.

