Gazetari: Petar Çaushevski
Ministria e Shëndetësisë dhe policia vijojnë kontrollet e jashtëzakonshme në fabrikat për prodhimin e kanabisit mjekësor. Kontrollet mbi fabrikat e kanabisit nisën pas aksionit të policisë e prokurorisë ku u sekuestruar 40 tonë marijuanë. Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu, në intervistë për Alsat thotë se ai deri më tani nuk ka lëshuar asnjë licencë ndonjë kompanie për prodhimin e kanabisit mjekësor.

” Ju a keni dhënë ndonjë licencë për sa kohë jeni ministër?
Jo, jo
Po a keni hequr ndonjë licencë?
Jo, nuk kemi pasur. Në këtë periudhë kohor faktikisht janë kërkesat e përditshme të kompanive që i bëjnë te ne, e dini se sipas ligjit duhet të na informojnë në kohë reale kur bëhet transformimi nga një hapësirë fizike në një hapësirë tjetër fizike apo transportimi i elementeve të kanabisit nga një institucion në tjetrin”, tha Azir Aliu, Ministër i Shëndetësisë.

Ministri Aliu siguron se pas 45 ditësh do të dalin me të gjitha informacionet me emër dhe mbiemër të personave dhe institucioneve që kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejt ose në mënyrë indirekte në abuzimin e licencave për prodhimin e kanabisit, i cili në vendse për qëllime mjekësore ka përfunduar në tregun e zi. Aliu paralajmëroi edhe shtrëngim të protokolleve dhe madje ndryshime ligjore në mënyrë që të shmanget abuzimet.

“Tani ne shohim se ku mund të jetë problemi dhe hapësirat për keqinterpretim dhe abuzim brenda për brenda, por, le të presim raportin përfundimtar besoni që ata janë ekspertë që punojnë edhe nga ministra e Shëndetësisë edhe ministria e Brendshme gjithashtu kemi edhe juristë që kemi angazhuar ekstra për të parë protokollet, ligjet dhe përputhjen apo kolizion i mundshëm brenda për brenda dhe në fund do të dalim me një raport të detajuar”, u shpreh Azir Aliu, Ministër i Shëndetësisë.

Ministria e Shëndetësisë zbaton kontrolle të jashtëzakonshme në fabrikat e prodhimit të kanabisit mjekësor në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme, Agjencinë e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore – Malmed, Inspektoratin e Bujqësisë, Inspektoratin Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor (SSHI) dhe institucione të tjera kompetente./Alsat.mk

The post Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu, siguron se për 45 ditë do të zbardhen të gjitha detajet në lidhje me kontrollet e jashtëzakonshme në fabrikat e kanabisit appeared first on Alsat.