Tre vite pas arrestimit që shkaktoi reagim të madh publik, anesteziologu Valton Dervishi nga Spitali i Tetovës pritet të rikthehet në punë, pasi gjykatat kanë anuluar vendimin për shkarkimin e tij dhe kanë hapur rrugë për kthimin e tij në institucion.

Ai ishte arrestuar dhe më pas dënuar për xhirim të paautorizuar të pacientëve dhe personelit mjekësor në repartin e gjinekologjisë, si dhe për publikimin e një pjese të materialeve në TikTok, rast që fillimisht u trajtua si shembull i reagimit institucional ndaj shkeljeve në shëndetësi.

Sipas rrjedhës së mëvonshme të proceseve gjyqësore, dënimi fillestar me burg dhe masat disiplinore janë ndryshuar në procedura më të buta, ndërsa një pjesë e akuzave është rikualifikuar pas deklaratave të noterizuara dhe vendimeve të reja gjyqësore. Kjo ka ndikuar që Oda e Mjekëve dhe gjykatat të konstatojnë se nuk ka bazë të mjaftueshme ligjore për t’ia marrë përfundimisht licencën, duke i hapur rrugë kthimit të tij profesional.