Raporti i Entit të Revizionit mbi gjetjet në Komisionin e Letrave me Vlerë është dorëzuar në Prokurori Publike. Përmbajtja do të shqyrtohet për të parë gjetjen e elementëve që mund të hynë në mandat të organit të akuzës, shkruan Alsat.
“Si gjithë raportet tjera edhe ky është dorëzuar tek ne. I është përcjellë Prokurorisë Themelore Publike e cila do t’i vlerëson gjetjet nga raporti”, thonë nga Prokuroria Publike.
Në shqyrtimet e bëra për vitin 2023, Enti i Revizionit ka gjetur disa parregullsi në Komisionin e Letrave më Vlerë. Ndër gjetjet, sipas raportit të publikuar është edhe mungesa e dy të punësuarve, përkatësisht mos paraqitja e tyre në punë gjatë vitit 2023 dhe një periudhë të vitit 2024. Televizioni Alsat nga burime brenda Komisionit të Letrave me Vlerë kishte mësuar ekskluzivisht se e punësuara që nuk është paraqitur në punë gjatë vitit 2023 dhe deri në qershor të vitit 2024 është bashkëshortja e ish ministrit të Financave, Fatmir Besimi.
“Gjatë vitit 2023 janë konstatuar 31 të punësuar, ndërsa në dhjetor të vitit 2024 kanë rezultuar 29 të punësuar. Një person gjatë vitit 2023 për të cilin është lëshuar rrogë prej 1.119.000 denarë…* Personi i njëjtë gjatë vitit 2023 deri në korrik të vitit 2024 ka munguar dhe më vet dëshirë ka dhënë dorëheqje nga puna më 29.07.2024. Për vitin 2024 është paguar 691 mijë denarë”, thonë nga Enti i Revizionit.
Parregullsi ishin konstatuar edhe te evidenca e të punësuarve dhe mënyra e përllogaritjes së kompensimit. Gjithashtu ishte konstatuar se janë realizuar edhe shpenzime pa dokumentacion mbështetës dhe janë kryer prokurime të mallrave dhe shërbimeve pa zbatuar procedurë për prokurim publik, mbi pragun vlerësues të përcaktuar në mënyrë ligjore./ Alsat.mk
The post Morën rrogë pa shkuar në punë/ Raporti i Entit të Revizionit për Komisionin e Lerave me Vlerë ka përfunduar në Prokurori appeared first on Alsat.
