Gazetar: Avni Tahiri

Me rritjen e temperaturave, në rrugët e Shkupit janë shtuar përdoruesit e trotinetëve elektrikë, biçikletave dhe motoçikletave, me këtë edhe numri i aksidenteve sidomos në zonat ku mungojnë korsitë e posaçme.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, nga 1 janari deri më 31 mars të këtij viti, në 589 aksidente trafiku janë përfshirë gjithsej 1.327 persona, prej të cilëve 14 janë çiklistë, 12 drejtues motoçikletash dhe gjashtë drejtues trotinetësh elektrikë. Sipas të dhënave të MPB-së, një drejtues motoçiklete ka humbur jetën, ndërsa tetë persona kanë pësuar lëndime të rënda trupore.

Në aksidentet e ndodhura në territorin e SPB Shkup, një person, drejtues motoçiklete ka humbur jetën; tetë persona kanë pësuar lëndime të rënda trupore (prej të cilëve katër janë biçiklistë dhe nga dy janë drejtues motoçikletash dhe trotinetësh elektrikë), ndërsa 20 persona kanë pësuar lëndime trupore, 10 çiklistë, gjashtë drejtues motoçikletash dhe katër drejtues trotinetësh elektrikë – MPB

  • Një person, drejtues motoçiklete ka humbur jetën; tetë persona kanë pësuar lëndime të rënda trupore.
  • 10 çiklistë, gjashtë drejtues motoçikletash dhe katër drejtues trotinetësh elektrikë kanë pësuar lëndime trupore.

Drejtuesit sipas kategorive:

Lloji i drejtuesit Numri total i pjesëmarrësve Persona të vdekur Të lënduar rëndë Të lënduar Pa lëndime
Biçikletë 14 4 10
Trotinet elektrik 6 2 4
Motoçikletë 12 1 2 6 3
Gjithsej 32 1 8 20 3

Në përdorimin e shtuar të biçikletave dhe trotineteve elektronik ka ndikuar edhe rritja e çmimit të naftës si zgjidhje më ekonomike. Nga ana tjetër sfida kryesore mbetet mungesa e shtigjeve të dedikuara për biçikleta, çka vështirëson lëvizjen e sigurt të përdoruesve dhe rrit rrezikun në komunikacion. Autoritetet apelojnë për kujdes të shtuar në trafik dhe respektim të rregullave, me qëllim uljen e numrit të aksidenteve dhe rritjen e sigurisë në rrugë. /Alsat.mk

The post Moti i mirë, por dhe rritja e çmimit të derivateve të naftës kanë mbushur rrugët më biçikleta, motoçikleta e trotinetë appeared first on Alsat.