Moti sot do të jetë me vranësira të ndryshueshme dhe i ftohtë, me reshje lokale të herëpashershme bore gjatë natës dhe paradites, ndërsa pasdite pritet që reshjet të ndërpriten.

Siç njofton Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike (DPHM), do të fryjë erë e moderuar, ndërsa përgjatë Luginës së Vardarit erë e përforcuar nga drejtimi verior. Temperatura minimale do të lëvizë nga minus pesë deri në dy gradë, ndërsa ajo maksimale nga minus një deri në pesë gradë Celsius.

Në Shkup do të mbajë mot me vranësira të ndryshueshme, paradite me reshje të herëpashershme shiu dhe bore. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të zbresë deri në minus një gradë, ndërsa ajo maksimale do të arrijë tre gradë.

Sipas parashikimit, reshje lokale bore do të ketë edhe nesër paradite, kur do të fryjë erë e përforcuar veriore, e cila do të vazhdojë edhe të hënën. Nga fillimi i javës së ardhshme, nën ndikimin e një fushe të presionit të lartë ajror, pritet një periudhë moti i qëndrueshëm dhe i thatë, ku në disa vende temperaturat e mëngjesit do të zbresin edhe nën minus dhjetë gradë Celsius.