Fitorja 5-1 e Real Madridit ndaj PSV-së prodhoi një sërë statistikash mbresëlënëse. Fitoret me rezultat të thellë kanë këtë efekt shumëfishues, sidomos kur bëhet fjalë për një klub me historinë europiane të Real Madridit. Gjithsesi, forma aktuale e skuadrës së Mourinhos të çon vazhdimisht në të kaluarën.
Me suksesin ndaj holandezëve, Reali iu afrua zonës së tetë skuadrave më të mira të Champions League dhe regjistroi fitoren e dhjetë radhazi, diçka që nuk e arrinte brenda të njëjtit sezon që nga viti 2021.
Pasqyra e Ancelottit – Përmbysja ndaj PSV-së, me Realin që dominoi pjesën e dytë, sjell ndër mend skuadrën e drejtuar nga Carlo Ancelotti pesë vite më parë. Ai Real e përfundoi sezonin duke fituar dy trofe: La Liga-n dhe Champions League.
Edhe zëvendësimi i trefishtë i Mourinhos në pushimin mes dy pjesëve të lojës ka një precedent me Ancelottin. Në janar 2024, kur Almeria kryesonte 2-0 në “Bernabeu”, italiani aktivizoi Joselu, Brahim Diaz dhe Fran Garcia. Reali përmbysi gjithçka dhe fitoi 3-2.
Seria e 10 fitoreve të vitit 2021 zgjati nga 30 tetori deri më 12 dhjetor, me 7 suksese në kampionat dhe 3 në Champions. Vinicius e nisi me dy gola në fitoren 2-1 ndaj Elche, ndërsa Benzema dhe Asensio vulosën suksesin e dhjetë në derbin kundër Atleticos (2-0), në “Bernabeu”.
Në serinë aktuale të Mourinhos, Vinicius priti deri në ndeshjen e dhjetë për të shënuar, duke realizuar golin e pestë ndaj PSV-së. Seria e Ancelottit u ndërpre më 19 dhjetor 2021, kur Cadiz barazoi 0-0 në “Bernabeu”.
Rekordi historik i Real Madridit i përket gjithashtu Ancelottit, gjatë aventurës së tij të parë. Ai regjistroi 22 fitore radhazi, nga 16 shtatori deri më 20 dhjetor 2014, duke nisur me suksesin 5-1 ndaj Basel në Champions dhe përfunduar me fitoren 2-0 kundër San Lorenzo në finalen e Botërorit të Klubeve. Serinë e ndërpreu Valencia, që fitoi 2-1 në “Mestalla” më 4 janar 2015.
Vetëm PSG-ja është përpara – Ancelotti arriti sërish 10 fitore radhazi në vitin 2022, por të shpërndara mes dy sezoneve. Pas triumfit në finalen e Parisit kundër Liverpool-it, vendosur nga goli i Vinicius, Reali regjistroi 9 fitore të tjera në fillimin e sezonit pasardhës.
Në Paris, ku ai Real u shpall kampion i Europës, luan sot një prej skuadrave që krahasohen me serinë e Mourinhos. PSG-ja e Luis Enrique, që barazoi me Romën këtë të mërkurë, arriti në 12 fitore radhazi pas suksesit 3-2 në transfertë ndaj Nice, dy më shumë se Reali. Parizienët barazuan kështu serinë e dytë më të mirë në historinë e klubit. Rekordi i tyre mbetet 16 fitore radhazi, në sezonin 2015-2016.
Në përfundim të së martës, Reali kryesonte fazën e ligës në Champions me 15 pikë pas 5 ndeshjesh, ndërsa PSG-ja ishte e dyta me 12 pikë në 4 ndeshje. Seria aktuale e Mourinhos nisi më 10 tetor, me golin e Yan Diomande ndaj Villarrealit (1-0). Që atëherë, Reali ka fituar 6 ndeshje në La Liga dhe 4 në Champions.
Në Romë ishte në disavantazh 3-1 kur kishin mbetur dhjetë minuta, por përmbysi rezultatin në 4-3 falë golit të Rüdiger. Në Athinë, AEK-u kaloi dy herë në avantazh, përpara se Valverde të vendoste gjithçka në kohën shtesë. Kundër Celta vendosi Espí. Ndërsa ndaj PSV-së, Bellingham iu deshën vetëm 15 minuta nga momenti i aktivizimit për ta kaluar Realin në avantazh me një ‘volej’ spektakolar në trekëndësh.

Katër përmbysje, secila e vendosur nga një golashënues i ndryshëm. Mbappé ka realizuar 11 gola gjatë kësaj serie, por asnjëri prej tyre nuk ka qenë goli vendimtar në këto katër përmbysje. Dhjetë fitoret radhazi të Mourinhos:
10/10 · La Liga · Real Madrid 1-0 Villarreal (0-0 në pjesën e parë)
14/10 · Champions · Roma 3-4 Real Madrid (1-1)
18/10 · La Liga · Real Madrid 4-1 Sevilla (2-0)
21/10 · Champions · Real Madrid 4-1 Leipzig (1-0)
25/10 · La Liga · Barcelona 1-2 Real Madrid (0-1)
01/11 · La Liga · Racing 0-3 Real Madrid (0-3)
04/11 · Champions · AEK Athinë 2-3 Real Madrid (1-1)
07/11 · La Liga · Valencia 0-3 Real Madrid (0-2)
21/11 · La Liga · Real Madrid 2-1 Celta (0-1)
24/11 · Champions · Real Madrid 5-1 PSV (0-1)
Reali ka shënuar 11 gola në pjesët e para dhe 20 në të dytat. Në 5 nga 10 ndeshjet ka shkuar në pushimin mes dy pjesëve në barazim ose në disavantazh. Në këto 10 fitore, Reali i Mourinhos ka shënuar 9 gola më shumë se skuadra e Ancelottit në vitin 2021 (31 kundrejt 22), por ka pësuar dyfishin e golave (10 kundrejt 5).
Pesë fitore larg Mourinhos së parë – Këtë sezon, Reali ka fituar të 12 ndeshjet në të cilat ka shënuar i pari, si dhe 4 nga 6 takimet ku ka pësuar fillimisht gol. Në Champions, 9 nga 15 pikët i ka marrë pasi ka qenë në disavantazh.
Sipas statistikave, fitorja ndaj PSV-së ishte përmbysja e 40-të e Realit në një ndeshje të Champions League, pasi kishte pësuar golin e parë, që nga viti 1992. Para saj kishte 38, pas suksesit në Romë, ndërsa më pas përmbysi edhe AEK-un dhe PSV-në.
Në dy ndeshjet e fundit është përsëritur i njëjti skenar: si Celta në kampionat, ashtu edhe PSV-ja e Peter Bosz në Europë, shkuan në pushim me avantazhin 1-0 në “Bernabeu”.
Reali i përmbysi të dyja ndeshjet me një rezultat të përgjithshëm 7-0 në pjesët e dyta. Kundër holandezëve, skuadra kaloi nga një pjesë e parë pa asnjë goditje në portë në një dominim total, me Bellingham në krye dhe 3 gola të shënuar mes minutave 50 dhe 64.
20 nga 31 golat e Realit gjatë serisë së dhjetë fitoreve kanë ardhur në pjesët e dyta, ose 64.5 për qind. “Kështu duhet të dalim që nga minuta e parë”, – kërkoi Valverde pas ndeshjes me PSV. Courtois ndau të njëjtin qëndrim kritik.
Mourinho ka dhënë shumë arsye për të justifikuar rikthimin e tij në Madrid. Ai ka fituar 16 nga 18 ndeshjet zyrtare (88.9 për qind), ndërsa në “Bernabeu” ka regjistruar 9 fitore në 9 takime, me 30 gola të shënuar dhe vetëm 7 të pësuar.
Dy humbjet e vetme kanë ardhur në transfertat kundër Betis dhe Atletico Madridit. Në aventurën e parë te Reali, portugezi fitoi 128 nga 178 ndeshje (71.9 për qind). Suksesi ndaj PSV-së ishte fitorja e tij e 144-t në 196 ndeshje në stolin e madrilenëve.
Të shtunën, kundër Alaves në “Bernabeu”, Mourinho mund të kalojë serinë prej 10 fitoresh të atij Realit të vitit 2021. Për të barazuar rekordin e skuadrës së tij të parë, të vitit 2011, i duhen ende 5 fitore.
Ai ekip, që do ta mbyllte sezonin duke fituar La Liga-n me 100 pikë, regjistroi 15 fitore radhazi: 10 në kampionat dhe 5 në Champions. Kështu barazoi rekordin e Miguel Muñoz, që qëndronte prej gjysmë shekulli.
Tri vite më vonë, Ancelotti e çoi këtë shifër në një nivel astronomik: 22 fitore radhazi. Një vazhdimësi që mund të arrihet vetëm në periudhat më të lavdishme të historisë së Real Madridit.
The post Mourinho po ndjek “hijen” e vet te Real Madridi. 10 fitore radhazi, edhe 5 hapa drejt rekordit historik appeared first on Telesport.
