Këshilli Gjyqësor mohon se është kryer bastisje në objektet e tyre, duke theksuar se kanë vepruar sipas kërkesave me shkrim të Prokurorisë Themelore Shkup, përcjell TV21. Këshilli thekson se nuk është lëshuar asnjë urdhër bastisjeje dhe se do të vazhdojë të bashkëpunojë me të gjitha autoritetet kompetente, të udhëhequr nga parimet e një gjyqësori të pavarur, të përgjegjshëm dhe transparent.
Siç është konfirmuar edhe më herët nga Prokuroria, zyrtarët policorë dje hynë në Këshillin Gjyqësor për të siguruar procesverbalin lidhur me dyshimet për një vepër të mundshme penale lidhur me mandatin e kryetares së Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva, e cila dha dorëheqje më 2 dhjetor. Nga Ministria e Brendshme thonë se po kryhet parahetim.
