Gazetare: Ajnur Bafqari

Ministria e Brendshme ka hapur një sportel ku qytetarët do të mund të drejtohen për t’i përmirësuar të dhënat që lidhen me sistemin “Safe City”. Por qytetarët që sot u paraqitën në këtë sportel u ankuan se ngjashëm si gjobat testuese, edhe formularët janë vetëm në maqedonisht.

“Prej sot, në këtë sportelin këtu, qytetarët do të kenë mundësi të drejtohen me kërkesat për ndryshim dhe korrigjim të të dhënave që lidhen ekskluzivisht me sistemin ‘Safe City’”, raporton Ajnur Bafqari, gazetare.

Deri në mesditë dhjetëra qytetarë janë drejtuar në këtë sportel, për të kërkuar ndryshimin e të dhënave për kontakt, apo në rast se kanë marrë njoftime me të dhëna të pasakta.

“Do të punojë çdo ditë pune nga ora 08:00 deri në 17:00, do të mund të dorëzojnë kërkesë për ndryshimin e të dhënave për kontakt që kanë dorëzuar gjatë regjistrimit të veturave, nëse ka ndodhur një ndryshim ose në rast se kanë marrë një njoftim me të dhëna të pasakta”, deklaroi Goce Andreevski, zëdhënës i MPB-së.

Njësoj si njoftimet që vijnë nga sistemi “Safe City” edhe formulari i kërkesës për ndryshim dhe korrigjim, është vetëm në gjuhën maqedonase.

Në rast se qytetarët nuk duan të shkojnë deri te sporteli në fjalë, të njëjtën gjë, do të mund ta realizojnë edhe nëpërmjet stacioneve për kontroll teknik të veturave, ku MPB ka caktuar nga 1 referent të deleguar të MPB-së.

Ndërsa për të gjitha vërejtjet, paqartësitë, apo problemet që lidhen me funksionimin e sistemit “Qytet i Sigurt”, qytetarët mund të drejtohen në MPB edhe përmes rrugës elektronike.

“Po ashtu, qytetarët përmes postës elektronike në bezbedengrad@moi.gov.mk do të mund të dërgojnë vërejtje me shkrim nëse kanë paqartësi, pyetje ose probleme në lidhje me funksionimin dhe zbatimin e sistemit ‘Qyteti i Sigurt’ ku të gjitha vërejtjet e dorëzuara do të regjistrohen dhe shqyrtohen sipas procedurave të përcaktuara, me qëllim përmirësimin e funksionimit dhe një komunikim më efikas me qytetarët”, tha Goce Andreevski, Zëdhënës i MPB-së.

Zbatimi i plotë i sistemit “Safe City” me shqiptim të dënimeve për shkeljet e evidentuara nga kamerat e sigurisë, fillon nga 1 shkurti. Në fazën testuese janë hasur shumë parregullsi, madje edhe të sms porosive me të dhëna të gabuara. Autoritetet zotohen se përpara fillimit zyrtar, do të eliminohen të gjitha pa rregullsitë e evidentuara në sistem. /Alsat.mk

The post MPB-ja hap sportel për të dhënat e “Safe City”, formularët vetëm në maqedonisht appeared first on Alsat.