Ministria e Shëndetësisë në një kumtesë për media thotë se mbetet plotësisht e përkushtuar për miratimin dhe zbatimin e Ligjit për mbrojtje nga duhani, në përputhje me afatet ligjore.

Nga MSH thonë se aktualisht po finalizohet analiza e komenteve të pranuara nga debati publik në ENER, si dhe e qëndrimeve të dorëzuara nga palët e interesuara, institucionet dhe komuniteti i biznesit, pas së cilës javën e ardhshme versioni përfundimtar do t’i dorëzohet Qeverisë.

“Theksojmë se këto harmonizime nuk e ndryshojnë thelbin e ligjit. Qëllimet mbeten të qarta dhe të pandryshuara: parandalimi i pirjes së duhanit tek të rinjtë dhe krijimi i brezave pa varësi nga nikotina, si dhe mbrojtja e punëtorëve dhe qytetarëve nga pirja pasive e duhanit në hapësira të mbyllura publike dhe të punës.Sa i përket pretendimeve për “zbatim me faza”, sqarojmë se kjo nuk nënkupton shtyrje të zbatimit të tij pas miratimit në Kuvend. Ligji do të hyjë në fuqi pas miratimit, në përputhje me afatet ligjore. Faza i referohet mënyrës së zbatimit në periudhën fillestare, ku faza e parë do të përfshijë mbikëqyrje të shtuar, informim dhe paralajmërime. Qëllimi është që institucionet, subjektet e gastronomisë dhe qytetarët të përshtaten, të marrin udhëzime të qarta dhe mbështetje, si dhe kultura e respektimit të rregullave të ndërtohet në mënyrë të qëndrueshme në afat të gjatë”, thonë nga MSH.

Gjithashtu thonë se ata mbeten të hapur për komunikim dhe për informimin në kohë të publikut për çdo hap të ardhshëm të procesit.

The post MSH: Ligji për mbrojtje nga duhani nuk shtyhet, javën e ardhshme do t’i dorëzohet Qeverisë appeared first on Alsat.