Përmes rrjetit tonë diplomatik dhe konsullor do të bëhet përfaqësim i shtuar dhe i argumentuar i qëndrimeve dhe rezultateve tona në reforma para partnerëve evropianë. Këtë e paralajmëroi shefi i diplomacisë, Timço Mucunski, i cili do ta riaktivizojë Këshillin e Ambasadorëve. Takimi i tij i parë do të mbahet këto ditë në Shkup, ku do të marrë pjesë edhe zëvendëskryeministri i Republikës së Çekisë, Petër Macink, i cili nga nesër do të qëndrojë për vizitë zyrtare në vend. Mucunski theksoi se nevojitet diplomaci aktive, e cila përmes komunikimit të drejtpërdrejtë me kreun shtetëror do të punojë në mbrojtjen e interesave kombëtare maqedonase, do të jetë e hapur ndaj nevojave të diasporës, si dhe do të jetë promovuese ekonomike e shtetit.

“Integrimi evropian mbetet një nga prioritetet tona qendrore strategjike. Rrjeti ynë diplomatik ka për detyrë t’i prezantojë qartë dhe në mënyrë të argumentuar qëndrimet tona dhe rezultatet e reformave para partnerëve evropianë. Të kërkojmë një proces evropian të drejtë dhe të parashikueshëm, të bazuar në rezultate, vlera evropiane dhe respekt të ndërsjellë. Por diplomacia moderne nuk përfundon me dialogun politik. Një nga fokuset kryesore të Këshillit vjetor do të jetë diplomacia ekonomike”, tha Mucunski.

Lidhur me rrugëtimin drejt integrimit evropian, për të cilin pak kohë më parë u tha se po zhvillohen bisedime të fshehta, Mucunski thotë se nuk ka thënë diçka të tillë, por se ekzistojnë kontakte dhe dialog me Bullgarinë dhe me institucionet evropiane për gjetjen e një zgjidhjeje.

“Kemi dialog me të gjitha palët e përfshira në këtë proces. Ne, në thelb, e zhvillojmë këtë dialog me vendet anëtare të Bashkimit Evropian, me institucionet e Bashkimit Evropian, të cilat janë të orientuara drejt gjetjes së një zgjidhjeje në kuadër të qëndrimeve që Qeveria i ka paraqitur para opinionit publik. Duke mbrojtur interesat kombëtare, por gjithmonë duke kuptuar se është e nevojshme dhe se është në interesin tonë të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme dhe e drejtë”, dekalroi Mucunski.

Edhe pse Mucunski mohon se po zhvillohen bisedime të fshehta, ambasadori evropian Mihalis Rokas, duke i quajtur ato “nën radar”, tha së fundmi se ekzistojnë negociata larg syrit të publikut për gjetjen e një zgjidhjeje për tejkalimin e çështjeve të hapura lidhur me rrugën evropiane të vendit.