Dialogu me Bullgarinë vazhdon, paralelisht me komunikimin me institucionet evropiane dhe vendet anëtare të BE-së, siguron Ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski. Ai bëri të ditur se çdo zgjidhje e mundshme me Bullgarinë duhet të jetë e qëndrueshme dhe në përputhje me qëndrimet e vendit, por edhe të sigurohet konsensus nga të gjitha vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.
“Dialog ka. Dialogun do të vazhdojmë ta zhvillojmë. Ky është një dialog dypalësh me Bullgarinë, por përfshin edhe komunikimin tonë aktiv me përfaqësuesit e institucioneve evropiane dhe me përfaqësuesit e vendeve anëtare. (NGJITJE) Siç e dini, për të gjitha vendimet që lidhen me integrimin tonë evropian, nevojitet konsensusi. Kjo do të thotë se, çfarëdo zgjidhjeje që synojmë të arrijmë me Bullgarinë, e cila hipotetikisht do të ishte në përputhje me qëndrimet tona dhe do të përbënte një zgjidhje të qëndrueshme, duhet të ketë konsensusin e të gjitha vendeve anëtare”, tha Mucunski.
Ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Juraj Blanar, theksoi mbështetjen e vendit të tij për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut. Ai tha se Sllovakia e mbështet këtë proces që nga Samiti i Selanikut dhe kundërshton zbatimin e standardeve të dyfishta në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Dua të theksoj edhe para mediave se Republika e Sllovakisë është kundër çdo lloj standardi të dyfishtë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian për shtete si Ukraina, Moldavia apo Gjeorgjia. Ne nuk mund të pranojmë që procesi i integrimit në BE, i cili bazohet në standardet evropiane, të ketë kritere të ndryshme për shtete të ndryshme”, tha Blanar.
Ministri i Punëve të Jashtme Mucunski, deklaroi se Maqedonia është e gatshme të pranojë çdo ndihmë dhe mbështetje nga partnerët ndërkombëtarë që mund të kontribuojë në arritjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme me Bullgarinë. Duke komentuar ofertën e Francës për të ndihmuar në lehtësimin e dialogut mes Shkupit dhe Sofjes, Mucunski theksoi se qëllimi nuk është një zgjidhje e përkohshme, por një marrëveshje afatgjatë që do të shmangë rikthimin e vendit në situatën aktuale. Ai nënvizoi se dialogu është i domosdoshëm për të arritur një zgjidhje, pavarësisht nëse procesi kërkon afat të shkurtër, të mesëm apo të gjatë.
