Problemi i Milanit duket se është i lidhur me kokën dhe mentalitetin. Mungon dëshira për të fituar, ashpërsia në duele dhe qëndrimi në fushë shpeshherë duket irritues. Kjo nuk është vetëm një ankesë e tifozëve të zhgënjyer pas humbjes së turpshme ndaj Juventusit, por edhe një shqetësim i trajnerit portugez, Sergio Conceiçao. Edhe pse ka pasur emocione pozitive, si triumfi në Superkupë, problemi kryesor i kësaj skuadre është më i thellë dhe nuk lidhet thjesht me lojën në fushë.

Trajneri e ka kuptuar qartë se për të zgjidhur një çështje kaq delikate dhe vendimtare, duhet të punojë mbi psikologjinë e lojtarëve. Në futboll, siç përsërisin shpesh specialistët, gjithçka fillon nga mendja. Kur mungon përkushtimi dhe grinta, situata bëhet e errët dhe zgjidhja duket e largët.

Pas një performance zhgënjyese si ajo ndaj Juventusit, sidomos në pjesën e dytë, të flasësh për taktika ose teknikë duket e kotë. Probleme të ngjashme ishin evidente edhe në ndeshjen kundër Comos disa ditë më parë. Ekipi kuqezi duket në një gjendje konfuzioni total, duke reaguar thjesht në bazë të situatave, pa ndonjë plan të qartë. Vështirësia shtohet nga kalendari tepër i ngjeshur, që nuk i lejon hapësirë për punë intensive në stërvitje.

Për momentin, Conceiçao nuk ka zgjidhje tjetër veçse të insistojë në idetë e tij taktike gjatë ndeshjeve, të cilat janë kthyer në seanca praktike stërvitjeje. Një nga këto ide ka bërë që Bennacer të luajë si mesfushor krahu, pavarësisht paraqitjeve të dobëta në tri ndeshje radhazi (Superkupa, Como, dhe “Allianz Stadium”). Ndërkohë, edhe pse skuadra ka arritur disa përmbysje të rëndësishme, problemi i pësimit të golave dhe kalimit në disavantazh vazhdon të jetë shqetësues, përveç barazimit të vakët 1-1 ndaj Cagliarit.

Sezoni është futur tashmë në fazën vendimtare dhe vendet e para në renditje po largohen. Misioni i Conceiçao është i qartë, të rikthejë shpirtin e “Djallit”. Por si do ta bëjë këtë mbetet ende një mister. Për më shumë detaje, ndoshta duhet pyetur paraardhësi i tij.

The post Mungesë mentaliteti, grinte dhe urie për fitore, Conceiçao duhet ta çojë Milanin te… psikologu appeared first on Telesport.