Të ftuara në Daily Click janë deputetja e VLEN, Mimoza Musa, dhe deputetja e Frontit Europian Rina Ajdari.

E pyetur për 7 mujorin e parë të qeverisjes, Mimoza Musa numëroi të arriturat e Qeverisë duke përmendur disa projekte mes tyre, ndarjen e 30 milionë euro për komunat shqiptare, 34,5 milionë për kampusin e “Nëna Tereza”, ndërtimin e shkollës modulare në Çashkë që siç tha, e kanë vulosur se kanë bërë një qeverisje ndryshe.

“Ajo që kemi bërë më ndryshe është një qeverisje ndryshe që e kishim edhe si moto të zgjedhjeve duke filluar me shume projekte të rëndësishme. Do t’i radhisja disa projekte, ndarja e 30 milionë euro për komunat shqiptare, e kemi 34,5 milionë për kampusin e “Nëna Tereza”, ndërtimin e shkollës modulare në Çashkë, punësimi I 600 specializantëve në shëndetësi, 50% mbylljen e kazinove online. Projektet e tjera që mund t’i numërojë është edhe rritja e pagave në shëndetësi, rritja e pagave në mësimdhënie, rritja e pensioneve dhe shumë projekte të tjera që me të vërtetë e kanë vulosur atë që ne themi se kemi bërë një qeverisje ndryshe.

Por deputetja e Frontit Europian, Rina Ajdari mendon ndryshe, që siç thotë, VLEN mendon se ende janë në fushatë parazgjedhore dhe tha se nuk duhet të merren me fjalë por të punojnë për mirëqenien e qytetarëve.

“Unë mendoj se kjo qeveri, tani 7 muaj, nuk është marrë me veprime konkrete, nuk ka bërë ndonjë veprim konkretë dhe të sjellë një gjë positive për përmirësimin e mirëqenies ekonomike të qytetarëve dhe aq më pak për avancimin e procesit të integrimit të RMV-së në BE.. Kjo qeveri gjatë gjithë kohës është marrë me opozitën, është marrë me fjalë, ju duket se ende janë në procesin e fushatës  muaj para dhe parazgjedhore dhe realisht  zgjedhjet kanë përfunduar 7 muaj më parë dhe tani duhet të marrin hapa konkret për të përmirësuar gjendjen e qytetarëve dhe për të zhbllokuar procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian”, tha Rina Ajdari