E pranon se si anëtar i Këshillit Gjyqësor është propozuar nga ish-presidenti Stevo Pendarovski, por Milazim Mustafa konsideron se nisma e shumicës aktuale për interpelancë ndaj 5 anëtarëve të Këshillit është hap i gabuar dhe i panevojshëm. Me këtë, siç shprehet, është më se e qartë se pushteti ka për qëllim të sjellë njerëzit e saj në Këshill, por kjo nuk e përmirëson gjendjen në gjyqësor.
“Unë jam thellësisht i bindur se të gjithë ata, edhe kryeministri dhe bartësit e të gjitha funksioneve publike kanë qëllime fisnike për përmirësimin e gjendjes, por nuk përmirësohet gjendja duke bërë sulm direkt mbi gjyqësorin, duke tentuar të largosh disa njerëz dhe duke i sjellë disa të tjerë”, tha Milazim Mustafa.
Në përgjigjen për interpelancën ndaj tij, në tekstin e së cilës në fakt emri i tij nuk përmendet askund, Mustafa ka shkruar se “për gjendjen e pakënaqshme dhe besimin e ulët në gjyqësor po e kërkojnë në vend të gabuar”.
-Po ku ta kërkojë Kuvendi përgjigjen për gjendjen e sistemit gjyqësor?
-Unë fillimisht mendoj se duhet ta kërkojë në radhët e veta, në ligjet që i sjellin ata dhe pastaj pala tjetër ta kërkojë në mënyrën e zbatimit të të njëjtave ligje.
Interpelanca ndaj 5 anëtarëve të Këshillit Gjyqësor pritet të mbahet më 11 mars. Ajo, edhe nëse kalon, nuk ka peshë juridike, andaj Mustafa thotë se nuk ndjen asnjë përgjegjësi morale e as penale për tu tërhequr, andaj thotë se do ta çojë mandatin deri në fund, që i mbaron në fillim të korrikut.
– Mekanizmi i vetëm për t’i larguar anëtarët e Këshillit Gjyqësor është procedura disiplinore që duhet të udhëhiqet pranë Këshillit Gjyqësor. Iniciativën e tillë mund ta ngrisin edhe gjykatësit, edhe ndonjë anëtar i këshillit gjyqësor kundër kolegut të tij.
-Prisni që ndonjë nga kolegët t’ua bëjë këtë?
-Nuk mund ta parashohim një gjë të tillë. Ne kemi raporte, kemi edhe probleme, edhe zënka mes nesh, por një gjë e tillë nuk mund të parashihet prej asnjërit.
I pyetur për besimin e ulët në gjyqësor, vetëm 2%, Mustafa tha se ka analiza të fundit ku besimi në gjyqësor del diku mbi 25%, por kjo sipas tij nuk përmendet askund. Apeli i tij është që gjitha palët të ulen dhe me koka të ftohta të kërkohen zgjidhje për sistem gjyqësor më të mirë, për të cilin tha se ë[shtë në gjendje të pakënaqshme, për të mos thënë para kolapsit.
