Gjatë kësaj jave do të fillojë ndarja e kartave të para për naftë të gjelbër, njoftoi ministri i Bujqësisë, Borçe Serafimovski. Theksoi se kjo masë vjen në kohën kur bujqit sërish dalin në ara për punët vjeshtore.
“Në prag të përpunimit vjeshtor dhe përgatitjes së arave të tyre, gjatë kësaj jave fillojmë me ndarjen e kartave të para për naftë të gjelbër. Për këtë masë kemi siguruar 584 milionë denarë. Mbështetjen e kemi rritur për 12,3 për qind, me çka drejtpërdrejt e ulim koston e karburantit në periudhën kur bujqit sërish hyjnë në ara”, tha Borçe Serafimovski.
Drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Bujqësisë, Ivica Angellovski, foli edhe për rezultatet e kontrolleve të blerjes së produkteve të ndryshme. Ai tha se deri më tani janë kryer 873 kontrolle inspektuese te personat që kanë kryer blerjen e produkteve bujqësore.
“Gjatë vitit 2026, inspektorët shtetërorë të bujqësisë, për parregullsitë e konstatuara, kanë shqiptuar gjithsej 30 masa inspektuese, për të cilat janë nxjerrë vendime në formë ndalesash, vërejtjesh, urdhrash dhe detyrimesh. Gjithashtu, për parregullsitë e konstatuara gjatë blerjes, inspektorët shtetërorë të bujqësisë kanë lëshuar edhe 17 urdhërpagesa, nga të cilat 3 janë paguar, ndërsa për të tjerat që nuk janë paguar po zhvillohet procedurë kundërvajtëse”, tha Ivica Angellovski.
Po ashtu u bë e ditur edhe se është miratuar Rregullorja për produktet e qumështit, me të cilën përdorimi i qumështit pluhur dhe vajit të palmës në produktet e qumështit kufizohet në 1 deri në maksimum 2 për qind. Në të njëjtën kohë, parashihet edhe një linjë krediti prej rreth 800 milionë denarësh për mbështetjen e kantinave të verës dhe përpunuesve të orizit.
