Bota e kinemasë ka humbur një prej artistëve më të mëdhenj të saj. Drew Struzan, ilustratori që krijoi disa nga posterat më të famshëm në historinë e filmit, ka ndërruar jetë në moshën 78-vjeçare.

Struzan ishte mjeshtër i artit që shndërroi imazhin e filmit në mit, duke realizuar posterë për kryevepra si “Star Wars”, “Indiana Jones”, “Back to the Future”, “E.T. – The Extra-Terrestrial”, “Blade Runner”, “The Shawshank Redemption” dhe “Harry Potter and the Sorcerer’s Stone”.

Revista Rolling Stone Italia e përshkroi si një “gjeni që formësoi historinë e kinemasë me dorën e tij”. Regjisori Steven Spielberg tha për të:

“Askush nuk vizatonte si ai.”

Në fillim të karrierës, Struzan krijoi kopertina albumesh për artistë si Beach Boys, Bee Gees, Earth, Wind & Fire dhe Alice Cooper. Por momenti që e ngriti në legjendë erdhi në vitin 1978, kur ai realizoi posterin për ribotimin e “Star Wars”. Që nga ajo ditë, emri i tij u bë sinonim me magjinë e kinemasë.

Familja e tij njoftoi se artisti vuante nga sëmundja e Alzheimerit, duke e ndalur pas dekadash krijimtarie të pandalshme.

“Drew ishte një forcë e natyrës… Fuqia e tij nuk u shua kurrë,” – shkroi familja në rrjetet sociale.

Krijuesi i “Star Wars”, George Lucas, tha se ilustrimet e Struzan “kapën në mënyrë të përsosur emocionin dhe frymën e filmave të tij”.
Ndërsa regjisori Guillermo del Toro e përshkroi me fjalë prekëse:

“Bota ka humbur një komunikues të shkëlqyer, një artist suprem. Kam humbur një mik të dashur.”

Drew Struzan nuk ishte thjesht ilustrator ishte njeriu që na mësoi të ëndërrojmë përmes ngjyrës, dritës dhe nostalgjisë së kinemasë

The post Ndahet nga jeta Drew Struzan, gjeniu pas posterave legjendarë të “Star Wars”, “Indiana Jones” dhe “Back to the Future” appeared first on Alsat.