Kryeministri Hristijan Mickoski pret që rasti për blerjen e mazutit për TEC “Negotinë”, në të cilin janë të dyshuar ish-drejtori i EMV-së, Vasko Kovaçevski, pronarët e kompanisë “RKM”, Erxhan Sullkoski dhe Ratko Kapushevski, Asmir Jahoski nga “Pucko Petrol” dhe edhe 9 persona të tjerë, të kthehet në rishqyrtim.

Për vendimin për ndalimin e procedurës, Mickoski thotë se nuk e dinte as kryeprokurori Nenad Saveski, me të cilin ka biseduar dje, por as ai nuk ishte i informuar për këtë vendim të Prokurorisë për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, që e udhëheq Islam Abazi.

Opozitarja LSDM reagoi për këtë qëndrim të kryeministrit, duke thënë se Mickoski se po ushtron presion politik mbi prokurorin publik Saveski, duke pretenduar se i jep udhëzime për veprim! Opozita kërkoi dorëheqjen e tij për shkak të, siç thonë, cenimit të pavarësisë së gjyqësorit dhe prokurorisë.