Në prag të ndeshjes me Anglinë në stadiumin “Air Albania”, Policia e Shtetit ka hartuar një plan të detajuar masash për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.
Në kuadër të këtij plani, janë marrë masa për shoqërimin dhe sigurimin e ekipit të Anglisë, nga aeroporti deri në hotel dhe stadium, si dhe gjatë kthimit.
Përveç sigurisë së lojtarëve, do të sigurohet rendi publik para, gjatë dhe pas ndeshjes, jo vetëm pranë stadiumit, por edhe në të gjithë qytetin e Tiranës.
Do të sigurohen rrugëkalimet për shërbimet e emergjencës dhe do të menaxhohet trafiku në zonat përreth stadiumit.
Për këtë arsye, nga ora 14:00 e më pas do të ketë kufizime qarkullimi në rrugët “Papa Gjon Pali II”, “Dervish Hima” pranë ambasadës së SHBA-së, “Asim Zeneli” pranë ambasadës së SHBA-së, “Themistokli Gërmenji”, kryqëzimi i Liceut në rrugën “Ismail Qemali”, rruga “Mustafa Matohiti” pranë shkollës “Kosova”, rruga “Jul Variboba” pranë postës, rruga “Lekë Dukagjini” pranë ish-Gardës së Republikës, rruga “Avdyl Frashëri” pranë kryqëzimit të Librit Universitar, si dhe rrugët “Skerdilajd Llagami” dhe “Faik Konica”.
Hyrja e tifozëve në stadium fillon nga ora 15:00.
The post Ndeshja me Anglinë, masat e sigurisë në maksimum! Bllokohet qarkullimi në disa rrugë, hyrja në 15:00 appeared first on Telesport.
