Deputeti Dragan Kovaçki u zgjodh sekretari i ri i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së, duke zëvendësuar Gjorgjija Sajkoskin. Sekretar organizativ i partisë do të jetë drejtori i SHPPP-së, Ivica Tomovski, ndërsa shef i kabinetit të kryetarit të partisë Hristijan Mickoski do të jetë Vlladimir Nelovski, i cili këtë funksion e ushtron edhe në qeveri.
Komiteti Qendror mbreme zgjodhi edhe një Komitet të ri Ekzekutiv, ku nëntë persona janë zëvendësuar dhe në vend të tyre vijnë kuadro të rinj. Janë shkarkuar Sergej Popov, Olga Lozanovska, Mevmet Xhaferi, Sasho Klekovski, Mile Lefkov, Manoil Jakovlevski dhe Risto Simeonov, ndërsa hyjnë kryetari i Komunës së Shkupit, Orce Gjorgjievski, deputetja Dragana Bojkovska, kryetari i Komunës së Mavrovë-Rostushës, Oner Jakupovski, drejtori i “8 Shtatorit”, Sinisha Stojanovski, ministri Stefan Andonovski, Filip Popovski dhe drejtori i Doganave, Boban Nikollovski.
“Këto vendime janë tregues i qartë se partia po ndryshon dhe po përshtatet me sfidat e reja. Qëllimi ynë është krijimi i një strukture të fortë, efikase dhe të bashkuar që do të japë zgjidhje konkrete dhe të përgjegjshme për nevojat e qytetarëve”, deklaroi Hristijan Mickoski.
“Në vend të fytyrave të reja – banda e vjetër.” Kështu opozita LSDM i komentoi vendimet partiake të miratuara në Komitetin Qendror të VMRO-DPMNE-së
“Tomovski – si sekretar organizativ, me qëllim që t’i “organizojë”, pra t’i kontrollojë tenderët. Si ata 161 tenderë për firmën familjare të Tomovskit. Këtu është edhe njeriu i Sasho Mijallkovit nga shërbimet, dukshëm për kontakte me shërbimet ruse – Dragan Kovaçki. Njeriu që NATO e refuzoi, që nuk i plotëson kushtet për certifikatë, tani është njeriu kryesor i Mickoskit në parti”, tha LSDM.
Ndryshe Mickoski paralajmëroi se në periudhën e ardhshme do të zgjidhen edhe kryetarë të rinj të komiteteve komunale të partisë, si dhe udhëheqje të reja të Unionit të Grave, Unionit të Forcave të Reja dhe Unionit të Veteranëve.
