Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski njoftoi se në fazën e parë të aksionit të Policisë ndaj disa kompanive për prodhim të kanabisit medicinal, janë sekuestruar 40 tonë marihuanë, përcjell TV21. Toshkovski tha se marihuana është trajtuar në mënyrë të paligjshme nga ana e kompanive.

“Bëhet fjalë për marihuanë që është konstatuar nga ana e Komisionit pranë Ministrisë së Shëndetësisë se është prodhuar, ruajtur jashtë protokolleve të caktuara në bazë të të cilave duhej të zhvillohej e gjithë procedura”, tha Toshkovski duke shtuar se droga është deponuar në hapësirat e MPB-së me qëllim që të përdoret tutje në suaza ta procedurës së dëshmisë.

Ndërkaq, kryeministri Mickoski paralajmëroi se qeveria pritet të marrë vendim për të formuar komision që të kontrollohet puna e kompanive që merren me industrinë në fjalë.

“Pres që sot në seancë të qeverisë do të merret vendimi me të cilin do të formohet komision dhe ekip që do të hyjë në shumë kompani, do ta kontrollojë punën dhe do të konstatojë gjendjen faktike, se cilat janë ato kompani që kanë punuar sipas ligjit dhe cilat nuk kanë punuar sipas ligjit dhe e kanë manipuluar ligjin”, tha Mickoski.